Lidhje

Çelsi Klinton, e bija e ish Presidentit Bill Klinton, martohet këtë të dielë


Çelsi Klinton, e bija e ish Presidentit Bill Klinton, martohet këtë të dielë
Çelsi Klinton, e bija e ish Presidentit Bill Klinton, martohet këtë të dielë

Çelsi Klinton, e bija e ish Presidentit Bill Klinton dhe e Sekretares së Shtetit Hillari Klinton do të martohet këtë të dielë në fshatin piktoresk Rajnbek, në veri të qytetit të Nju Jorkut. Hollësitë e ceremonisë mbaheshin të fshehta nga familja Klinton por kurioziteti i natyrshëm i medias ka bërë që dasma e Çelsit të kthehet në një sekret që tani dihet nga të gjithë.

Tabela dhe fotografi që urojnë Çelsi Klintonin dhe dhëndrrin Mark Mezvinski janë vendosur në shumë vitrina. Megjithëse dyqaneve të luleve apo të ëmbëlsirave, menaxherëve të hoteleve dhe shoferëve të limuzinave u është kërkuar të nënshkruajnë marrëveshje konfidencialiteti që sekreti të mos dalë, e gjithë qyteza ku do të bëhet dasma gumëzhin nga lajmi.

Sekretarja e shtetit Klinton tha se edhe ajo vetë është betuar para së bijës që të mos e nxjerrë sekretin.

“E kam gojën të kyçur... kam urdhëra të rrepta të mos flas për këtë gjë,” tha ajo.

Gazetarët kanë shprehur hamendje se nusja do të veshë një fustan të Oskar de la Rentës. Të tjerë thonë se fustani do të jetë i stilistes Vera Wang.

Lista e të ftuarve njoftohet se përfshin 400 vetë, prej tyre shumë do të jenë njerëz të shquar të Uashingtonit dhe të Hollivudit. Presidenti Obama tha se nuk ishte ftuar në dasëm sepse, shpjegoi ai, dy presidentë në një dasëm do t’i komplikonin problemet e sigurisë.

30-vjeçarja Çelsi Klinton dhe 32-vjeçari Mark Mezvinski janë njohur që kur ishin adoleshentë. Ai është bankier ndërsa prindërit e tij kanë qenë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan.

Çelsi Klinton punon në një fond investimesh në Nju Jork dhe ka studiuar për politikat e shëndetësisë në Universitetin

Kolumbia. Ajo nuk ka dalë shumë në publik që kur i ati i saj u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar 2001, megjithëse ndihmoi nënën e saj gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

XS
SM
MD
LG