Përfaqësues të luftëtarëve talebanë thanë se ata kanë marrë peng dy ushtarë amerikanë në provincën Logar, në lindje të Afgansitanit.
Talebanët e morën përgjegjësinë sot, dhe agjencia e lajmeve Reuters njoftoi se stacionet lokale radiofonike po transmetonin një ofertë të SHBA, për një shpërblim prej 20 mijë dollarësh për informacionet që mund të çojnë në lirimin e ushtarëve.
Zyrtarë afganë dhe të NATO-s nuk kanë komentuar rreth deklaratës së talebanëve.
Ndërkaq, po sot zyrtarë të NATO-s thanë se 5 ushtarë amerikanë janë vrarë në dy shpërthime të kryera në Afganistanin jugor, ku forcat ndërkombëtare kanë shtuar sulmet ndaj talibanëve.
Forca Ndërkombëtare e Sigurisë tha sot se 4 ushtarë u vranë nga aktivizimi i një bombe artizanale, një metodë e përdorur gjerësisht nga kryengritësit talebanë.
Më pas, NATO njoftoi vdekjen e një tjetër ushtari, në një tjetër shpërthim të ngjashëm.
Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon tha dje se plani i qeverisë afgane për të marrë përsipër sigurinë e vendit deri në vitin 2014, për të përmirësuarë qeverisjen dhe për të luftuar korrupsionin, do të jetë një proçes i gjatë e plot sfida.
Zoti Ban i bëri këto komente gjatë një takimi në Këshillin e Sigurimit, mbi një konferencë donatorësh, të cilën e bashkëdrejtoi në fillim të javës në Kabul.