Presidenti Obama nënshkroi ligjin që miraton një fond prej 600 milionë dollarësh për të forcuar kontrollin e kufirit, një çështje që pritet të zerë vend kryesor në zgjedhjet e nëntorit për në Kongres.
Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati u mblodhën në një seancë të pazakontë para disa ditësh, mes pushimeve të muajit gusht, për miratimin e projekt-ligjit. Ligji i ri parashikon shtimin me 1 mijë trupa të rojes kufitare përgjatë kufirit të Amerikës me Meksikën. Me ligjin e ri do të vihen në përdorim dy avionë pa pilot për të patrulluar zonën kufitare.
Imigracioni u bë një çështje e debatueshme këtë vit, ku shteti i Arizonës miratoi në muajin prill një ligj, që i lejonte forcave të rendit të kontrollonin statusin e emigrantit të personave të ndaluar dhe u kërkonte imigrantëve të mbanin me vete dokumentat gjatë gjithë kohës. Pjesët më të debatueshme të ligjit janë bllokuar nga një vendim gjykate.