Lidhje

Fillojnë hetimet për shkakun e rrëzimit të aeroplanit në Alaskë


Hetuesit kanë shkuar në vendin e aksidentit të aeroplanit, që u rrëzua dje në Alaska, ku gjeti vdekjen ish senatori i atij shteti, Ted Stevens, republikani që ka shërbyer më gjatë në Senatin amerikan. Mes 4 të mbijetuarve është ish drejtori i NASA-s Sean O'Keefe dhe djali i tij adoleshent.

Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë shkakun e rrëzimit dje në një zonë të largët malore të Alaskës të aeroplanit me 9 veta në bord, të cilët ishin nisur për një udhëtim peshkimi.

Ish senatori i Alaskës, Ted Stevens ishte mes 5 viktimave. Vdekja e ish senatorit 86 vjeçar tronditi si ligjvënësit edhe qytetarët e thjeshtë. Një pilot i dekoruar i Luftës së Dytë Botërore, i cili i shpëtoi përplasjes së një aeroplani në vitin 1978, zoti Stevens ishte senatori republikan që shërbeu më gjatë në histori dhe u bë politikani i njohur i Alaskës, duke i siguruar shtetit të tij miliarda dollarë në ndihma federale.

Hetuesit e Bordit Kombëtar për Sigurinë e Transportit shkuan dje në vendin e aksidentit në periferi të qytetit Dillingham, në Gjirin Bristol mbi 500 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Anchorage. Shkaku nuk dihet ende, por kushtet atmosferike janë një prej shkaqeve, në të cilat hetuesit do të përqëndrohen.

Fluturimet në Dillingham janë shpesh të rrezikshme, edhe në mot të mirë. Kryetarja e Bordit për Sigurinë e Transportit, Deborah Hersman tha se moti ishte me shi, re dhe errëra të forta.

"Mjeku që shkoi në vendin e aksidentit gjatë natës tha se kishte nuhatur një erë të rëndë karburanti dhe se tereni ishte shumë i vështirë. Aeroplani ishte rrëzuar në anë të një mali të thepisur dhe tereni ishte i lagët dhe rrëshqitës".

Rrëzimi i aeroplanëve në Alaska nuk është një dukuri e pazakontë e kjo për shkak të motit të keq dhe terenit malor.

Në shumë pjesë të shtetit nuk mund të shkohet me makinë prandaj njerëzit fluturojnë për të arritur në destinacione të caktuara.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Barak Obama i telefonoi dje mbasdite të vesë së zotit Stevens, Katherin, për t’i shprehur ngushëllimet.

XS
SM
MD
LG