Gazetarët që po mbulojnë protestat në Egjipt po ndalohen nga forcat e sigurisë dhe po sulmohen nga përkrahësit e Presidentit Hosni Mubarak në kryeqytetin Kajro. Forcat e sigurisë ndaluan të paktën tetë gazetarë të huaj sot dhe gazetarët në përgjithësi janë vënë në shënjestër të përkrahësve të Presidentit Mubarak që mendojnë se organet e medias favorizojnë protestuesit antiqeveritarë. Gazetarët e Zërit të Amerikës në kryeqytet u rrethuan nga disa njerëz që nuk i lejuan të shkonin të sheshin Tahrir. Gazetarë të CNN-it, al-Jazeerës dhe organeve të tjera të medias kanë njoftuar për sulme të tilla të ngjashme ndaj tyre. Ata thonë gjithashtu se pajisjet e tyre janë thyer, ose u janë rrëmbyer nga duart ndërsa po njoftonin për trazirat. Shumë gazetarë thonë se sulmuesit janë demonstrues pro-qeveritarë. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit P.J. Crowley dënoi atë që ai e quajti “një fushatë e organizuar” për të frikësuar gazetarët ndërkombëtarë në Kajro dhe për të ndërhyrë në punën e tyre. |
Egjipt: Gazetarët sulmohen nga përkrahësit e Presidentit Mubarak
- Zëri Amerikës
