Shqiperia ka permbushur plotesisht vetem nje nga kater blloqet e udherrefyesit per liberalizimin e vizave. Ne dy te tjera ajo vleresohet se pergjithesisht objektivat jane arritur dhe ne nje tjeter se eshte permbushur vetem pjesa me e madhe e objektivave. Ky eshte perfundimi i raportit te Komisionit Europian. Per Bosnjen komisioni europian ka vleresuar se ajo ka permbushur plotesisht 3 nga kater blloqet dhe vetem ne njerin prej tyre ka permbushur shumicen e objektivave.
Pak ditë më parë ministri jashtëm Ilir Meta deklaroi se Shqipëria kishte bërë “Progres spektakolar në të katër blloqet dhe të gjitha detyrimet teknike për ne janë të përmbushura”. Jo vetëm ai por edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë të angazhuar në procesin e liberaizimit të vizave kanë këmbëngulur se detyrimet e parashikuara në udhërrëfyes janë realizuar.
Por raporti i Komisionit europian i mbështetur në vlerësimin e ekspertëve të tij, nuk është plotësisht i këtij mendimi. Sipas këtij raporti, një kopje të të cilit e ka siguruar edhe “Zëri i Amerikës” Shqipëria ka përmbushur plotësisht vetëm detyrimet e njërit prej katër blloqeve të udhërrëfyesit. Duket se Shqipëria i ka plotësuar objektivat e bllokut të parë ku bëhet fjalë për Sigurinë e Dokumentave. Vendi vlerësohet se “ka bërë një progres shumë të mirë” në këtë drejtim.
Përsa i përket Bllokut të dytë, që merret me Emigracionin e Paligjshëm, përfshirë dhe Ripranimet Raporti saktëson se “Shqipëria ka bërë një përparim domethënës në fushat e menaxhimit të kufijve, azilit dhe emigracionit por kërkohen përpjekje të mëtejshme për të vënë në jetë një strategji gjithpërfshirëse për riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar”.
Vlerësimi për këtë bllok është se “Shqipëria përgjithësisht i ka plotësuar objektivat. Verifikime të mëtejshme janë të nevojshme lidhur me zhvillimin e një strategjie dhe politikave në mbështetje të riintegrimit të tëriatdhesuarve”.
Vlerësimin më të ulët Shqipëria e ka marrë në Bllokun e e tretë i cili lidhet me cështjet e Sigurisë dhe Rendit Publik. Raporti njeh se “janë bërë përpjekje thelbësore për arritjen e detyrimeve” por përfundimi është se “Shqipëria ka plotësuar shumicën e objektivave të këtij blloku. Përpjekje të mëtejshme nevojiten për fuqizimin e kapacitateve të zbatimit të ligjit dhe një zbatim më efektiv i kuadrit ligjor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, përfshirë caktimin e burimeve të përshtatshme financiare dhe njerëzore. Ne vecanti, shkruhet në vlerësimin përfundimtar, zbatimi i kuadrit të ri ligjor në fushën e konfiskimeve të pasurive kriminale duhet të ndiqet më tej me vendosmëri”.
Blloku i katërt dhe i fundit ka të bëjë me Marrëdhëniet me Jashtë dhe të Drejtat Themelore. Por megjithëse në raport shkruhet se “Shqipëria ka bërë përparim shumë të mire”, vlerësimi përfundimtar është se “Shqipëria përgjithësisht i ka plotësuar objektivat”.
Krahasuar me raportin e një viti më parë ku Shqipëria nuk kishte arritur të plotësonte objektivat e asnjërit prej blloqeve, përparimi është i dukshëm këtë herë. Megjithatë Bosnja vlerësohet se ka bërë më shumë se Shqipëria duke përmbushur plotësisht kërkesat e tre nga katër blloqeve.
Kështu në bllokun e parë , ashtu si dhe Shqipëria vlerësohet se I ka plotësuar të gjithë objektivat. Po kështu edhe për bllokun 2 që lidhet me Emigracionin e Paligjshëm dhe Ripranimet ajo ka vlerësimin maksimal. Vetëm në bllokun e tretë, në cështjet e Sigurisë dhe Rendit Publik është në të njejtin nivel me Shqipërinë, pra se “ka plotësuar shumicën e objektivave të udhërrëfyesit”. Ndërsa në Bllokun e katërt sërish Bosnja ka marrë vlerësimin maksimal.
Komisioni europian ende nuk ka bërë propozimin e tij për vendimin që duhet marrë për Shqipërinë dhe Bosnjen. Por duket se po shkohet drejt një skeme sipas së cilës vendimi mund të merret dhe hyrja e tij në fuqi të bëhet më vonë pasi të jenë plotësuar edhe objektivat e tjerë ende të papërmbushur. Pak e shumë këtë variant e paralajmëroi pas kthimit nga Brukseli edhe kryeministri Sali Berisha: “Jemi të vendosur të konsolidojmë të gjitha arritjet në këtë fushë dhe cdo kërkesë tjetër që mund të paraqitet sic u bë me tre vendet e tjera, që u liberalizuan vizat. Pas vendimit secilit ju tha se një, dy, tre cështje duhet t’I zgjidhni pavarësisht se ne morëm vendimin”.
Mbi përfundimet e raportit për Liberalizimit të vizaveNesër komisioni europian pritet të ketë një konsultim me vendet anëtare për cështjen e liberalizimit të vizave dhe të marëtn me parlamentin europian, të cilëve u është dhënë ky raport që prej një jave.