Lidhje

Studim: Përdoruesit e Facebook-ut më pak të lumtur


Studim: Përdoruesit e Facebook-ut më pak të lumtur
Studim: Përdoruesit e Facebook-ut më pak të lumtur

Studime të kryera gjatë viteve të fundit tregojnë se personat që përdorin shumë mediat sociale priren të jenë më pak të lumtur se personat që nuk i përdorin ato. Por një studim i ri akademik thotë se mediat sociale si Facebook-u mund të ndikojnë gjithashtu në mënyrën se si ne perceptojmë lumturinë e të tjerëve.

Pyet cilindo të ri në Shtetet e Bashkuara – si këta studentë të Universitetit George Mason në Virxhinia – se sa “miq” kanë në rrjetin Facebook dhe përgjigja ka shumë mundësi të jetë diçka e tillë:

“Unë asnjëherë nuk e parë me vëmendje, por besoj se është një shifër midis 350 dhe 400,” thotë kjo studente.

“Unë jam një nga ata persona rrinë gjithë kohën në Facebook për të parë se ç’bëjnë të tjerët” thotë një tjetër përdoruese.

Studiues të Universitetit Utah Valley në Orem, të shtetit Utah donin të shihnin nëse gjithë ajo kohë duke parë njerëzit në Facebook ndikonte në mënyrën se si përdoruesit perceptonin, jo veten, por të tjerët.

Ata pyetën 425 studentë nëse njerëzit e tjerë kishin një jetë më të mirë e më të lumtur.

Më pas ata pyetën studentët mbi përdorimin e Facebook-ut nga ana e tyre – duke u përqëndruar mbi sa kohë kishin që e përdornin apo se sa orë në javë shpenzonin duke ndjekur aktivitetet e miqve në Facebook.

Studiuesit vunë re se studentët që e përdornin Facebook-un më tepër ishin më të prirur të mendonin se njerëzit e tjerë kishin një jetë më të lumtur e më të mirë. Kjo vihej re veçanësrisht tek studentët që lejonin më tepër të panjohur në faqet e tyre në Facebook.

Psikologu Tod Kashdan është ekspert mbi lumturinë dhe mirëqënien në Universitetin George Mason dhe ai ka lexuar zbulimet në Utah.

“Ata dëgjojnë gjithë këto gjëra të mrekullueshme që u ndodhin njerëzve të tjerë dhe i krahasojnë me veten. Ata mendojnë për veten: “Jeta ime nuk është aq interesante apo e kënaqshme sa duket ajo e të tjerëve.”

Autorët e studimit në Utah thonë se rezultatet mund të jenë të ndikuara nga një efekt psikologjik i quajtur “anshmëria e të treguarit”.

Kjo ka të bëjë me rastin kur ne gjykojmë dikë mbi natyrën e tyre, duke anashkaluar rrethanat e vërteta të jetës së tyre.

Në rastin e Facebook-ut, është e lehtë të mendohet se miqtë janë gjithmonë aq të lumtur sa shfaqen në profilin e tyre sepse ata nuk paraqesin aty ngjarje apo veti negative, por vetëm ato pozitive.

Këta studentë thonë se pikërisht në atë mënyrë i analizonin gjërat që shihnin në Facebook kur ishin në shkollën e mesme, por tani, në universitet, janë më tepër në dijeni mbi ndikimin që ka mbi ta.

“Unë u jap njerëzve përshtypjen se jeta ime është perfekte dhe se në të nuk ka asgjë negative, në një kohë kur ka shumëgjëra negative, pra është sikur në Facebook të jetë një person tjetër me fytyrën time,” thotë studentja Nicolle May.

“Unë e kam parasysh se gjërat që njerëzit vendosin në Facebook nuk pasqyrojnë gjithçka që ata përjetojnë. Unë mendoj se njerëzit në internet vendosin një pamje të gënjeshtërt te vetes duke u përpjekur të duken shumë herë më mirë nga se janë në të vërtetë,” thotë Maram Mohamed.

Psikologët mendojnë se Facebook-u dhe mediat e tjera sociale mund të jenë mjete të rëndësishme për të lidhur njerëzit në botë. Por ky konfirmim vjen me një paralajmërim:

“Mos shpenzo shumë kohë vetëm duke vështruar aktivitetet pozitive të të tjerëve. Diskuto me ta mbi aktivitetet e tua dhe gjej se kush janë miqtë të cilëve u intereson se çfarë ndodh në jetën tënde.”

Psikologët thonë gjithashtu se përdoruesit e Facebook-ut mund të zbusin ndikimet negative që zbuloi studimi në Utah, duke u përqënduar tek miqtë e tyre të vërtetë dhe jo tek ata miq të Facebook-ut që ata mund të mos i njohin mirë.

XS
SM
MD
LG