Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë në një raport të ri se parashikimi i ekonomisë globale po përmirësohet. Pavarësisht një ngadalësimi në Evropë, institucioni ndërkombëtar i huave parashikon se ekonomia botërore do të rritet me 3.5 përqind këtë vit, një përmirësim i vogël nga parashikimi i mëparshëm në muajin janar. Rritja në vendet në zhvillimin mbetet në ritme të larta, por egzistojnë rreziqe të konsiderueshme.
FMN-ja thotë se tregu amerikan i punës po tregon shenja jete, prodhimi është shtuar ndjeshëm dhe konsumatorët amerikan po shpenzojnë më shumë.
Po ashtu nga Evropa ka lajme të mira, ku përpjkjet e kordinuara nga BE-ja mund të kenë eleminuar kërcënimin e falimentimit të Greqisë dhe kanë ulur kostot e huamarrjes në vendet e tjera me borxhe të mëdha.
Por ekonomisti i FMN-së Oliver Blanchard thotë se panorama e ekonomisë globale është e komplikuar.
“Situata është qetësuar tashmë, por mbizotëron një qetësi e frikshme. Gjërat mund të përkeqësohen përsëri në çdo moment.”
Analistët citojnë Spanjën si një rrezik të mundëshëm. Normat e interesit për bonot spanjolle janë dyfishuar që nga marsi si rezultat i spekulimeve se ekonomia e katërt më e madhe e Evropës mund të kërkojë ndihmë financiare. William Hobbs thotë se ky është një skenar i pamundur.
“Spanja nuk është Greqi. Spanja ka një ekonomi të hapur për reforma dhe biznes të respektuar botërisht dhe zakonisht një ekonomi për të cilën mendojmë se do të tejkalojë këto ditë të vështira.”
FMN-ja shikon përparime në ekonomitë në zhvillim, kryesisht ato në Azi, duke parashikuar një rritje prej 7.5 përqind këtë vit. Rritja e Kinës do të ngadalësohet deri në 8.2 përqind. Por ritmi pritet të rritet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore me vazhdimin e rritjes së çmimeve të naftës.
Përparime po ashtu janë vënë re në Afrikën Nënsahariane dhe Afrikën e Jugut, ku prodhimi ekonomik pritet të zgjerohet me 5.5 përqind. Përsëri Oliver Blanchard i FMN-së.
“Për shumë vende, sfidat vijnë kryesisht nga jashtë në formën e eksporteve të pakta ndaj vendeve të përparuara si rezultat i rritjes së vogël atje, paqëndrueshmërisë së çmimeve të mallarave të cilat prekin si importuesit edhe eksportuesit dhe paqëndrueshmërisë së fluksit të kapitaleve”.
Raporti i FMN-së vjen ndërkohë që institucioni prej 187 vendesh anëtare dhe Banka Botërore, përgatiten të zhvillojnë takimin e pranëverës këtu në Washington.