Lidhje

Greqi: Partia radikale e së majtës zhvillon bisedime për koalicion


Në Greqi, kreu i partisë radikale të majtë, Syriza, është takuar me drejtuesit e partive kryesore të vendit me shpresën për formimin e një qeverie koalicioni.

Një marrëveshje koalicioni duket se nuk ka gjasa, një ditë pasi drejtuesi i partisë Syriza Alexis Tsipras u bëri thirrje partive Demokracia e Re dhe PASOK të ndryshonin pozicionin e tyre për reduktimin e shpenzimeve të lidhura me planin e shpërtimit prej miliarda dollarësh.

Tsipras bëri thirrje të martën për një refuzim të të gjitha masave shtrënguese të vendosura sipas marrëveshjes së kredisë. Ai tha se vota e popullit grek në zgjedhjet e së dielës anulon marrëveshjen ndërkombëtare të kredisë.

Syriza fitoi 52 nga 300 vendet në parlament, duke u radhitur e dyta pas partisë konservatore Demokracia e Re.

Partisë Demokracia e Re iu dha mundësia e parë për të formuar një qeveri të unitetit. Por kreu i partisë Antonis Samaras, tha të hënën se ai nuk ishte në gjendje të formonte qeverinë pas kundërshtimeve nga udhëheqësit e partive.

Presidenti grek Karolos Papulias i ka dhënë tani tre ditë afat partisë Syriza për të formuar një aleancë qeverisëse.

Nëse këto bisedime dështojnë, partia që radhitet e treta do të marrë mandatin për të formuar një qeveri. Mos arritja e një marrëveshje mund të detyrojë zgjedhje të reja, muajin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG