Në Haiti zvhillohen zgjedhjet presidenciale që shihen si një nga më të rëndësishme të vendit në shumë vjet.
Rreth 4.5 milionë votues pritet të marrin pjesë për zgjedhjen e presidentit të vendit që përpiqet të rimëkëmbet nga tërmeti i fuqishëm i muajit janar dhe që tani po lufton me epideminë e kolerës.
Votuesit do të zgjedhin pasardhësin e Presidentit Rene Preval, i cili sipas ligjit, nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë.
Tre nga 18 kandidatët që janë në garë kanë dalë në krye. Ish zonja e parë, Mirlande Manigat, do të ishte gruaja e parë presidente nëse zgjidhet. Një artist popullor, Mishell Martelli, ka tërhequr grupe të mëdha përkrahësish. Një tjetër kandidat, anëtar i partisë jopopullore në pushtet, Xhad Selestin, është një prej kandidatëve kryesorë.
Artisti i lindur në Haiti, Uei Klif Xhin, u skualifikua nga pjesëmarrja në garë, pasi zyrtarët haitianë thanë se ai nuk plotësonte kushtet pasi nuk kishte banuar për pesë vjet në vend. Xhin ishte mes 15 kandidatëve që u skualifikuan.
Rezultatet e para të votimeve të sotme nuk priten para datës 7 dhjetor dhe ato përfundimtare pritet të shpallen në datën 20 dhjetor.