Punonjësit e spitaleve në Indonesi thonë se nga një shpërthim i ri i vullkanit në Malin Merapi janë vrarë të paktën 60 njerëz.
Punonjësit e ekipeve të shpëtimit thonë se të paktën 70 vetë të tjerë u plagosën, shumica me djegje të rënda, pas shpërthimit të vullkanit rreth mesnatës. Zyrtarët parashikojnë që numri i viktimave të shtohet, ndërsa ekipet e shpëtimit, të ndihmuar nga ushtria, nxjerrin trupat nga vendi i aksidentit.
Numri i të vdekurve ka mbërritur në 100 vetë që kur vullkani u aktivizua më 26 tetor.
Zyrtarët indonezianë e kanë zgjeruar “zonën e rrezikshme” të vullkanit në një rreze prej 20 kilometrash dhe dhanë urdhër që vendstrehimet emergjente të zhvendosen sa më lartë kraterit.
Ministria indoneziane e transportit u ka thënë pilotëve të fluturojnë sa më lart që të jetë e mundur për të shmangur renë e hirit dhe gazit të nxehtë.
Zyrtarët thanë se po përpiqen të përballojnë nevojat e të evakuarve në kampet e emergjencës, ku janë strehuar rreth 90 mijë njerëz.
Mjekët thonë se shumë nga njerëzit atje kanë probleme të frymëmarjes, infeksione, kollë, ethe dhe sytë të irituar.