Lidhje

SHBA: Jemi gati të përballemi me kërcënimin e Iranit


SHBA: Jemi gati të përballemi me kërcënimin e Iranit
SHBA: Jemi gati të përballemi me kërcënimin e Iranit

Shtetet e Bashkuara thonë se forcat e tyre ushtarake në rajonin e Gjirit Persik janë të përgatitur për t’iu përgjigjur një kërcënimi që mund të vijë nga Irani. Zyrtarët e lartë iranianë kanë thënë se ata mund të mbyllin ngushticën e Hormuzit, një hap ky që do të pengonte furnizimet me naftë në shkallë botërore.

Flota e 5-të e Marinës amerikane në Bahrein është ndër përqendrimet më të mëdha ushtarake që Shtetet e Bashkuara mbajnë si bazë të përhershme në rajon, e gatshme për t'u përgjigjur nëse tensionet me Iranin shkallëzohen në veprime të drejtpërdrejta ushtarake.

Këto manovra ushtarake iraniane synojnë të tregojnë forcën e Teheranit.
Por, analistët thonë se pas shume vite sanksionesh ndërkombëtare, Irani do ta ketë të vështirë të bëjë luftë me mjetet e tij ushtarake të vjetëruara.

"Një pjesë e mirë e pajisjeve të tyre janë që nga koha e Shahut. Të tjerat janë importe me cilësi të dobët nga Kina dhe Rusia. Irani thuajse nuk ka fare raketa moderne tokë-ajër. Pothuajse të gjitha anijet e tij të mëdha janë të kohës së Shahut," thotë analisti Anthony Cordesman.

Këto dobësi e nuk e kanë penguar Iranin të bëjë kërcënime se do ta mbyllë ngushticën e Hormuzit. Irani paralajmëroi gjithashtu aeroplanmbajtësen amerikane, John Stennis, të mos kthehet më në Gjirin Persik.

Shtetet e Bashkuara thonë se ka ende vend për diplomaci, por forcat e tyre nuk do ta lejojnë një bllokadë iraniane.

"Ne nuk mund ta tolerojmë Iranin të bllokojë ngushticën e Hormuzit, kjo është një vijë e kuqe që s’mund të shkelet," thotë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Paneta.

Irani ka shumë arsye që të mos angazhohet në një konfrontim në shkallë të gjerë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, por nëse e bën këtë, zyrtarët amerikanë thonë se janë gati të kundërpërgjigjen.

XS
SM
MD
LG