Izraeli është shprehur i kënaqur me vendimin e Lidhjes Arabe për t’u dhënë edhe një muaj kohë Shteteve të Bashkuara për të shpëtuar bisedimet e paqes me palestinezët.
Zëdhënësi izraelit Mark Regev tha se Izraeli po punon me Shtetet e Bashkuara për t’u siguruar që bisedimet e drejtëpërdrejta me palestinezët të vazhdojnë.
Të premten, ministrat e jashtëm të vendeve të Lidhjes Arabe mbështetën kërkesën e palestinezëve për të pezulluar bisedimet nëse Izraeli nuk e zgjat afatin e moratoriumit për ndalimin e ndërtimeve të vendbanimeve në Bregun Perëndimor që ka skaduar dy javë më parë.
Ministrat e Lidhjes Arabe thanë se ata do t’i japin një muaj kohë Shteteve të Bashkuara të bindin Izraelin që të ndalë ndërtimet.
Pas këtij vendimi të Lidhjes Arabe, Shtetet e Bashkuara u zotuan se do të vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e bisedimeve për paqe.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit Filip Kroli tha se Shtetet e Bashkuara do të inkurajojnë palët të marrin vendime konstruktive drejt arritjes së një zgjidhje për dy shtete.