Presidenti Barak Obama thotë se Italia ka shënuar një fillim të mirë në shkurtimin e deficitit dhe rikthimin e shëndetit fiskal nën udhëheqjen e Kryeministrit Mario Monti. Zoti Obama tha pas një takimi dje në Shtëpinë e Bardhë se “masat shumë të efektëshme”, të mara nga zoti Monti po i tregojnë botës se Italia “ka një plan” që i merr seriozisht përgjegjësitë fiskale dhe nevojën për reforma strukturore.
"Kryeministri erdhi në në një kohë shumë të vështirë në politikën dhe ekonominë italiane. Unë thjesht dua të them se sa shumë e vlerësojmë ne starting e fuqishëm që ai ka ndërmarrë dhe masat shumë efektive që ai po nxit në Itali. Ju keni parë tashmë se si rrjedhojë e administrimit, përvojës dhe njohurive të tij ekonomike, ai jo vetëm ka rritur besimin brenda Italisë në lidhje me programin e reformave, por është gjithashtu në gjendje të gjenerojë besim në të gjithë Evropën si dhe në tregjet".
Zoti Monti, profesor i ekonomisë dhe ish-komisioner i BE-së për konkurrencën, ka vënë në zbatim masa të rrepta shtrënguese dhe reforma ekonomike. Ai tha se megjithëse masat mund të jenë të ashpra, italianët duket se po i pranojnë reformat:
"Dëshiroj të falënderoj ngrohtësisht presidentin për fjalët e tij bujare dhe mbështetëse të cilat në vetvete janë një inkurajim për qeverinë time për të ecur në këtë rrugë. Jam i kënaqur të them se rruga drejt konsolidimit të buxhetit dhe reformave strukturore, sado e dhimbshme mund të jetë në vështrimin afatshkurtër, duket se është kuptuar gjerësisht nga opinioni publik italian, dhe mendoj se kjo është një bazë e mirë edhe për të ardhmen e vendit.”
Kryeministri italian erdhi në këtë post në muajin nëntor. Së bashku me masat shtrënguese, zoti Monti ka rënë dakord gjithashtu të mos marrë pagë.
Borxhi italian aktualisht kap 2,5 trilion dollarë.