Ministri i Brendshëm gjerman Hans-Peter Fridrih i ka bërë thirrje Italisë të zgjidhë problemet e saj me imigracionin, pasi Roma deklaroi se do t’u japë imigrantëve nga Afrika e Veriut viza për të shkuar në vende të tjera në Evropë.
Numri i sotëm i gazetës gjermane Welt citon zotin Fridrih, sipas të cilit një politikë e tillë do të përbënte shkelje të rregullores së Bashkimit Evropian për udhëtim pa viza. Ai tha se ka në plan ta ngrejë këtë çështje në takimin e ministrave të brendshëm të BE-së sot në Luksenburg.
Ministri i Brendshëm i landit të Bavarisë në Gjermani, thotë se po merr në konsideratë mundësinë e rivendosjes së kontrolleve kufitare përgjatë kufirit me Austrinë, në përpjekje për të ndalur valën e refugjatëve.
Mbi 20 mijë refugjatë, në përpjekje për t’u shpëtuar trazirave në Tunizi dhe Libi janë dyndur në ishullin e vogël italian të Lampeduzës, në detin Mesdhe, duke i mbingarkuar kapacitetet e ishullit.
Italia thotë se ka në plan t’u japë shumë prej refugjatëve viza për t’i lejuar të shkojnë në vende të tjera të BE-së.
Kryeministri italian Silvio Berluskoni i ka bërë thirrje për ndihmë Bashkimit Evropian, gjatë një vizite të shtunën në Lampeduza.