Lidhje

Gjendje e pandryshuar në veriun e Kosovës


Gjendje e pandryshuar në veriun e Kosovës
Gjendje e pandryshuar në veriun e Kosovës

Në Kosovë, protestuesit serbë në veri vazhdojnë t'i mbajnë të bllokuara rrugët kryesore që çojnë në vendkalimet kufitare, në shenjë kundërshtimi ndaj vendosjes së policisë dhe doganierëve të Kosovës në vendkalimet kufitare me Serbinë. Autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditur se gjendja në pjesën veriore të Kosovës është e qetë por e tensionuar. Ata kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë bllokimin e rrugëve për një kohë të gjatë, ndërsa i kanë cilësuar ato të paligjshme.

Ndërkaq, përfaqësuesit e serbëve në komunat veriore pritet që nesër të takohen për të diskutuar rreth mundësisë së lejimit të lëvizjes e lirë të trupave të KFOR-it dhe EULEX-it, drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë. Ata pritet të mblidhen, pas takimit që mbrëmë zhvilluan me Presidentin e Serbisë Boris Tadic, mbi mundësitë e zgjidhjes së krizës në veri. Përfaqësuesit e serbëve në veri kanë lënë ta hapur mundësinë që të arrihet një kompromis për të lejuar lëvizjen e lirë të forcave paqeruajtëse.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s filluan javën e kaluar një aksion për zhbllokimin e rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare në veriun e Kosovës me qëllim të vendosjes së lëvizjes së lirë. Forcat e KFOR-i përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë protestuesit që po kundërshtonin largimin e barrikadave.

Aksioni i forcave të NATO-s pasoi afatin e caktuar për zhbllokimin e rrugëve, por serbët në veriun e Kosovës refuzuan thirrjet e KFOR-it për të hequr barrikadat e ngritura në rrugët kryesore në atë zonë.

XS
SM
MD
LG