Lidhje

Dështon privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës


Dështon privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës
Dështon privatizimi i Postës dhe Telekomit të Kosovës

Komiteti qeveritar për privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës shpalli sot mbylljen e procesit dhe paralajmëroi fillimin e një procesi të ri për privatizimin e kësaj ndërmarrjeje. Vendimi pasoi tërheqjen nga konkurrenca të Telekomit kroat, njëra nga dy kompanitë që kishin mbetur në rrethin e ngushtë për blerjen e 75 për qind të aksioneve në këtë ndërmarrje që është më fitimprurësja në Kosovë. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj tha se shqetësimet rreth akuzave të ngitura ndaj një pjese të drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës ishte arsyeja e tërheqjes së kësaj kompanie.

“Dhe ata kanë shpreh shqetësim për procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar në Postën dhe Telekomin e Kosovës dhe njëkohësisht kanë shpreh shqetësimin e tyre për të vazhduar me proces”, tha ministri Beqaj.

Shefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomit Shyqyri Haxha dhe anëtari i bordit drejtues të kësaj ndërmarrjeje Rexhë Gjonabalaj akuzohen për nënshkrimin e kontratave të dëmshme për Postën dhe Telekomin e Kosovës. Akuzat janë hedhur poshtë nga dy drejtuesit e lartë që janë në pritje të procesit të konfirmimit të akuzës. Megjithatë tërheqja e kompanisë nga Kroacia e cila ishte në konkurrencë bashkë me një kompani gjermane ka bërë që autoritetet të vendosin që procesi të pushojë, meqë nuk mund të ketë privatizimin me vetëm një kompani.

“Komiteti qeveritar për privatizim sot ka marrë vendim për ta shpallur të mbyllur këtë proces dhe për të filluar përgatitjet për një proces të ri i cili do të shkon sipas orientimeve strategjike që ka qeveria e Republikës së Kosovës”, tha ministri Beqaj.

Shitja e aksioneve të Postës dhe Telekomit parashihej t’i siguronte buxhetit të Kosovës nga 300 deri në 600 milion euro të hyra këto që ishin parashikuar edhe në buxhetin e Kosovës për këtë vit. Autoritetet thanë se buxheti nuk do të pësojë nga dështimi i privatizimit të Postës. Por, ekspertët e ekonomisë thonë se ndërprerja e procesit mund të ketë pasoja të tjera. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se kjo është një shenjë e keqe për Kosovën meqë bëhet fjalë për privatizimin e ndërmarrjes më të rëndësishme të vendit.

“Dështimi që të tërhjek Kosova një investitor atraktiv në këtë fushë është një dështim i cili nuk dërgon aq sinjale pozitive për ekonominë e Kosovës. Shpresoj që privatizimi do të kryhet së shpejti dhe qeveria e Kosovës do të bëjë gjithçka çka është e mundur që kjo të kryhet në një afat sa më të shpejtë”, tha zoti Musa.

Vendimi për privatizimin e Postës dhe Telekomunikacionit, që është një nga ndërmarrjet publike më fitimprurëse në Kosovë, u miratua në mars të këtij viti në kuadër të ligjit për buxhetin e Kosovës. Opozita e ka kundërshtuar ashpër vendimin shitjen e Postës dhe Telekomunikacionit. Mospajtimet rreth këtij privatizimi në vjeshtën e kaluar ishte një nga shkaqet që çuan në krizën institucionale në vend, që u pasua me zgjedhjet e parakohshme.

XS
SM
MD
LG