Lidhje

UNMIK: Zgjedhjet lokale serbe në Kosovë, shkelje e Rezolutës 1244


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë tha se përpjekja e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në një përgjigje dërguar autoriteteve te Serbisë që kishin kërkuar mbështetjen e UNMIK-ut për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, shefi i këtij misioni Farid Zarif ka theksuar se rrethanat në terren e pamundësojnë një gjë të tillë.

Për më tepër, ai ka nënvizuar se “përpjekja e qeverisë së Serbisë që të organizojë zgjedhje të tilla do të paraqiste shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe së këndejmi zgjedhjet e tilla nuk do të kishin as bazë ligjore e as rrjedhoja ligjore”.

Serbia shpalli zgjedhjet parlamentare e lokale për datën 6 maj, me synimin që ato të mbahen edhe në Kosovë. Paralajmërimi i këtyre zgjedhjeve nxiti reagime të ashpra të Prishtinës zyrtare, por edhe kundërshtimin e diplomatëve perëndimorë.

Përfaqësues të Qeverisë së Serbisë janë shprehur të pakënaqur me përgjigjen e UNMIK-ut, por kanë tërhequr vërejtjen se pa mbështetjen e tij nuk do të duhej ngulur këmbë në këtë synim. Opozita në Serbi dhe përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës ngulin këmbë që zgjedhjet të mbahen edhe në Kosovë.

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë, të cilët i kanë bërë thirrje Serbisë që të sillet në pajtim me statusin e saj të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Diplomatët thanë ndërkaq se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të mund të mbaheshin të organizuara nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, duke u nisur nga fakti se qytetarët e Kosovës e kanë të garantuar shtetësinë e dyfishtë.

XS
SM
MD
LG