Lidhje

Kosovë: Kremtohet festa e flamurit kombëtar shqiptar


Kosovë: Kremtohet festa e flamurit kombëtar shqiptar
Kosovë: Kremtohet festa e flamurit kombëtar shqiptar

Prej kohësh nuk mbahet mend një gamë kaq e gjerë e manifestimeve me rastin e 28 nëntorit, ditës së pavarësisë së Shqipërisë, që në Kosovë kremtohet si festë e flamurit kombëtar shqiptar. Autoritetet edhe zyrtarisht Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës i vunë emrin “Adem Jashari”, në nderim të njeriut që shqiptarët e Kosovës e njohin si komandant legjendar të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 28 nëntori shënon edhe ditëlindjen e tij si dhe përvjetorin e shfaqjes së parë publike të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Emërimi pasoi një vendim të pak ditëve më parë të qeverisë në dorëheqje e cila vendosi po ashtu që autostrada që lidhë Kosovën me Shqipërinë të ketë emrin e presidentit të ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova.

Komuna e Prishtinës ka organizuar një program kulturor e artistik, ndërsa Rrjeti i Organizatave Shqiptare në Kosovë ka stolisur Prishtinën me flamuj të panumërt kombëtar shqiptar si dhe ka organizuar konferencën me temën “Shqiptarët në shekullin e 21-të.

Akademik Esat Stavileci tha në punimet e kësaj konference se shqiptarëve ende u mungon një siç u shpreh ai, kuvendim i hapur mbarëshqiptarë.

“Projektimi i qartë i së ardhmes që kërkon ndoshta që shqiptarët ta rishkruajnë historinë e vet sepse ajo pjesërisht ende mbahet e shfryer në historinë e shteteve që kishin sunduar në trojet e tij ose historinë e marrëdhënieve me popujt fqinjë. Shqiptarët do të duhej ti ktheheshin historisë përpara, jo për të harruar atë por për të mos e shijuar të hidhurën të saj. Shqiptarët në shekullin e 21 ndoshta më së miri është që të kërkojnë të mos u përsëritet e kaluara e shekullit 20”, tha akademik Stavileci.

Ndërsa filozofi nga Tirana Elvis Hoxha, vuri theksin në kundërthënien që ekziston ndërmjet kremtimeve në Kosovë dhe simboleve të vendosura nga autoritetet.

“Më në fund në shekullin e 21-të qenia shqiptare feston ilegalisht 28 Nëntorin. Ajo që më mahnit në Kosovë dhe duke pritur nga Kosova, më habit fakti që populli i Kosovës justifikon pa fund që qeveria e Kosovës thotë atë që populli i Kosovës atë nuk e do”, tha zoti Hoxha.

Në Maj të vitit 2008, pak muaj pas shpalljes së pavarësisë, parlamenti i Kosovës miratoi ligjin e diskutueshëm mbi festat zyrtare të Republikës që përfshinë kremtimin e 28 nëntorit si ditë të shqiptarëve, duke e radhitur atë në mes të festave përkujtimore, por jo edhe zyrtare shtetërore. Për dallim nga viti i kaluar, sivjet festa e flamurit po shënohet me veprimtari të shumta kulturore, të organizuara nga institucionet por edhe organizatat e forcat politike që nuk pajtohen me lënien e saj jashtë kalendarit të festave shtetërore të Kosovës.

Kësaj radhe edhe institucionet ne dorëheqje, edhe partitë politike, por edhe organizata të tjera janë përfshirë në organizime të shumta të kremtimeve. Për një pjesë të vëzhguesve, një numër manifestimesh kanë të bëjnë më shumë me fushatën për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetorit.

XS
SM
MD
LG