Media algjeriane njofton se pjesëtarë të familjes së Moamar Gadafit hynë sot në Algjeri, ndërsa rebelët libianë vazhduan kërkimet për ish udhëheqësin libian.
Sipas Shërbimit Algjerian të Shtypit, Ministria e Jashtme njoftoi se bashkëshortja e Gadafit, vajza e tij si dhe dy prej djemve të tij me fëmijët e tyre mbërritën në Algjeri sot në mëngjes.
Në Libi, forcat rebele po i afrohen qytetit të lindjes së Moamar Gadafit, ndërsa vazhdojnë kërkimet për të pasi morën nën kontroll kryeqytetin e vendit.
Komandanti i rebelëve në Misrata tha se forcat e opozitës iu afruan qytetit 30 kilometra, i cili ndodhet 450 kilometra në lindje të Tripolit.
Një zëdhënës i rebelëve tha dje se forcat anti-qeveritare do ta marrin qytetin Sirte me forcë nëse negociatat me udhëheqësit fisnorë për dorëzimin e tij dështojnë.
Zoti Gadafi nuk është parë që kur rebelët morën nën kontroll Tripolin, dhe rajoni përreth qytetit Sirte konsiderohet si një zonë ku ai mund të stregohet.
Kreu i Këshillit Kombëtar Kalimtar të opozitës, Mustafa Jalil, tha se zoti Gadafi ende përbën kërcënim për Libinë dhe botën. Zoti Jalil bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes nga NATO-ja.
Ndërkohë, Franca tha se dërgoi sot një ekip në Tripoli për të rihapur ambasadën pas mbylljes së saj për 6 muaj, ndërsa rebelët luftonin për kontrollin e vendit.