Lidhje

Kosovë: Fatmir Limaj në arrest shtëpiak


Kosovë: Fatmir Limaj në arrest shtëpiak
Kosovë: Fatmir Limaj në arrest shtëpiak

Një Gjykatë në Prishtinë, e drejtuar nga Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, i shqiptoi sonte deputetit të Parlamentit të Kosovës Fatmir Limaj, masën e arrestit shtëpiak prej 30 ditësh.

Zoti Limaj akuzohet bashkë me nëntë perosna të tjerë për krime lufte.

Masa e arrestit shtëpiak pasoi opinionin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas së cilës deputetët e Parlamentit të Kosovës nuk kanë imunitet për veprimet jashtë fushëveprimit të tyre.

Gjykata publikoi të mërkurën opinionin e saj në bazë të një kërkesë të qeverisë së Kosovës të bërë më 20 korrik lidhur me imunitetin e deputetëve të Parlamentit, presidentit dhe anëtarëve të qeverisë së Kosovës. Gjykata shpjegon se të gjithë këta gëzojnë imunitet funksional për veprimet dhe vendimet e ndërmarra brenda fushëveprimit të përgjegjësive të tyre përkatëse.

Në vendim thuhet mes tjerash se “deputetët nuk gëzojnë imunitet nga ndjekja penale për veprimet dhe vendimet e ndërmarra jashtë fushëveprimit të përgjegjësive të tyre. Kjo ka të bëjë me ndjekjen penale për veprat penale të cilat pretendohen të jenë kryer para fillimit të mandatit të tyre dhe gjatë rrjedhës së mandatit të tyre si deputetë”.

Më 26 korrik një prokuror i EULEX-it, kishte ngritur një aktakuzë kundër zotit Limaj dhe nëntë ish bashkëluftëtarëve të tij për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që sic thuhet supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Në muajin mars, prokurorët e EULEX-it lëshuan një urdhër arresti për deputetin Limaj, i cili gjatë luftës ishte një nga komandantët kryesor të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Arrestimi i tij është pamundësuar për shkak të imunitetit, i cili ndërkaq nuk i pengon hetimet.

Masa e arrestit shtëpiak e shqiptuar sonte është bërë me propozimin e prokurorit të cështjes.

XS
SM
MD
LG