Lidhje

Filmi dokumentar "Inside Job" paraqet shkaqet e krizës ekonomike


Filmi dokumentar "Inside Job" paraqet shkaqet e krizës ekonomike
Filmi dokumentar "Inside Job" paraqet shkaqet e krizës ekonomike

Tashmë kur kanë kaluar dy vjet që nga koha kur qeveria amerikane miratoi paketen e ndihmës emergjente ekonomike prej 700 miliard dollarësh, papunësia mbetet e lartë dhe shumë banorë ende përballen me mundësinë e humbjes së shtëpive, pasi nuk janë në gjendje të përballojnë kredinë. Dokumentari i Charles Ferguson “Inside Job”, i hedh një vështrim shkaqeve të krizës financiare të vitit 2008 dhe paralajmëron se mund të ketë një tjetër krizë nëse administrata e presidentit Obama nuk tregohet më e vendosur ndaj sektorit bankar dhe bizneseve të cilat cilësohen si shumë të mëdha që të lihen të falimentojnë.

Charles Ferguson, argumenton përmes filmit “Inside Job” se investimet e rrezikshme dhe etja për para e investitorëve në Wall Street, bankierëve dhe drejtuesve të lartë, çoi në krizën financiare.

Charles Ferguson thotë për Zërin e Amerikës se drejtësia ende nuk është venë në vend. Askush nuk është akuzuar, siç shprehet ai, për mashtrimin ndaj Amerikës.

Një nga arsyet e filmit është t’u tregoja njerëzve se çfarë ndodhi, ta bëja të mundur për njerëzit e thjeshtë ta kuptojnë se pse Amerika është ende në një situatë tejet të jashtëzakonshme.

Dokumentari i studiuar me kujdes i zotit Ferguson i bën njerëzit të ndihen të zemëruar. Filmi paraqet prova të shumta se si liberalizimi financiar, që filloi në kohën e presidentit Regan, mundësoi që drejtuesit e lartë në Wall Street të bënin veprime të errëta financiare që përfundimisht çuan në krizën financiare amerikane.

Ekonomistët e intervistuar thonë se nëse qeveria do të ishte vigjilente, Wall Street-i nuk do të kishte qënë në gjendje të merrej me investime të rrezikshme. Ekonomisti Robert Johnsion me Insitutin Rockefeller e mbështet këtë argument.

Ajo çfarë mësuam nga kriza e 2008 është se një sistem financiar i pakontrolluar mund të sjellë probleme të mëdha për shoqërinë.

Në këtë film, zoti Ferguson kritikon atë që e quan qendrim të butë të administratës Obama ndaj industrisë financiare si dhe përzgjedhjen e tij të këshilltarëve.

Gjatë fushatës, zoti Obama tha shumë gjëra për të cilat besuam se do t’i realizonte lidhur me situatën. Pasi fitoi zgjedhjet, zoti Obama zgjodhi njerëz që të drejtojnë politikat ekonomike që faktikisht kishin kontribuar në shkaktimin e krizës.

Robert Johnson është dakord. Ai thotë se presidenti Obama nuk bëri mjaft për të ndëshkuar fajtorët apo miratuar rregulla të rrepta.

Fillimisht, nuk mendoj se kanë bërë aq sa duhet ndaj asaj që quhet shumë e madhe që të falimentojë. Është shumë e vështirë që të mbyllësh dhe zbërthesh kur falimentojnë institucione financiare të mëdha dhe komplekse. Kreditorët e kuptojnë këtë gjë. Kështu që ata nuk paguajnë interes të mjaftueshëm tek krditorët sepse askush nuk frikësohet nga falimentimi sepse mendojnë se qeveria do ti ndihmojë. Ngaqë nuk paguajnë aq sa duhet, ata inkurajohen dhe spekulojnë. Problemi qendron sepse këta bankierë të pasur janë po ata që financojnë fushatat politike.

Filmi nuk jep një zgjidhje të problemit. Charles Ferguson pohon se bankierët e Wall Street ende po e mbajnë peng ekonominë dhe qeverinë amerikane. Por ai ka besim në procesin demokratik.

Nuk mendoj se është e pashmangshme që Wall Street do të kontrollojë gjithmonë politikën e qeverisë amerikane. Ende mendoj se Amerika është demokraci dhe pavërësisht jo-përfekte dhe me probleme, ende është e mundur që populli amerikan ta ndalojë këtë.

Autori i filmit parashikon se Amerika do të vuajë për vite me rradhë. “Inside Job” mori çmime për dokumentarin më të mirë në festivalet e filmit të Kanës, Nju Jorkut dhe Torontos dhe konsiderohet si konkurrues i fuqishëm për çmimin Oscar.

XS
SM
MD
LG