Sot, në ditën e tretë të haxhillëkut, besimtarët myslimanë kryen ritualin e zakonshëm, duke goditur me gurë tri shtyllat në Mina të Arabisë Saudite.
Besimtarët e veshur me të bardha e kaluan natën në Lëndinën Muxalifa, ku mblodhën gurët me të cilët, sipas traditës, qëlluan djallin, simbol i së keqes.
Ky ritual pasohet me therjen e një kafshe, që shënon edhe fillimin e festës myslimane të Kurban Bajramit, apo siç njihet ndryshe “Festa e Sakrificës”.
Dje, më tepër se 2 milionë besimtarë u ngjitën në Malin Arafat, vendi ku profeti Muhamet mbajti predikimin e tij të fundit, 14 shekuj më parë.
Kleriku më i lartë i Arabisë Saudite, Muftiu i Madh Abdul Aziz al Sheik, u bëri thirrje myslimanëve dje në predikimin e tij, të shmangin dhunën, luftën sektare dhe të jenë të mirë me të tjerët.