Lidhje

Zgjerohet sistemi i tramvajeve në rrugët e qyteteve amerikane


Zgjerohet sistemi i tramvajeve në rrugët e qyteteve amerikane

Tramvaji i lagjes St.Charles Avenue në Nju Orlins është tramvaji më i vjetër në botë që ende punon, sipas Shoqërisë Amerikane të Inxhinierisë Mekanike. Tani, ky qytet po zgjeron sistemin e tramvajeve dhe duket se kjo prirje po pasohet anembanë Shteteve të Bashkuara.

Tramvajet kanë udhëtuar rrugëve të Nju Orlinist për rreth 150 vite , dhe ende mbahen në gjendje të mirë.

Anthony Falls është shofer tramvaji për 10 vjet dhe mendon se do të vazhdojë në këtë profesion:

“Kjo është linja më e vjetër në botë për tramvajet dhe gjithashtu të punosh këtu është pjesë e historisë, pasi njëherë e një kohë, nuk lejoheshin shoferët me ngjyrë të drejtonin tramvajet, ndaj mendoj se kjo është e rëndësishme për mua”.

Korsia e tramvajit ka sfiduar dikur karrocat me kuaj e i ka mbijetuar edhe dyndjes së makinave dhe autobusëve.

Njerëzit thonë se ata e përdorin normalisht tramvajin:

“Kam udhëtuar me tramvaj që kur nisa shkollën e mesme. Disa herë edhe kur dalim për drekë, marrim tramvajin”.

“Mendoj se tramvaji është i lezetshëm, i veçantë dhe dallon nga mënyratt e tjera të transportit. Jam nga Kalifornia ku të gjithë nxitojnë për diku..! Është kaq bukur të shohësh pamjen nga tramvaji...”.

“Nuk e di arsyen pse më pëlqen, ndoshta se është pjesë e historisë. Këto makineri të vjetra këtu respektohen dhe mirëmbahen. Duke udhëtuar me to bëhesh pjesë e historisë së Nju Orleansit”.

Këtë vit, Nju Orlinsi do të hapë korsi të reja. Ai është një nga 20 qytetet amerikane që po zgjeron e mirëmban sistemin e korsive për tramvajet.

Më shumë se 3 mijë kilometra larg, në Portland të Oregonit, një korsi për tramvajët është hapur në vitin 2001 dhe mbulon rreth 6 km e gjysëm në këtë qytet. Rreth 12 mijë pasagjerë e përdorin tramvajin çdo ditë.

Një tjetër linjë do të hapet këtë vit.

Dominic Moncado i Autoritetit Rajonal të Tranzitit në Nju Orlnisit shpjegon pse qytetet po u kthehen tramvajeve.

“Me rritje e vazhdueshme të çmimit të karburantit, shumë agjenci publike të transportit po përpiqen që të gjejnë mënyra për të modernizuar sistemet e tyre”.

Nju Orlinsi, thotë ai është shembull për rigjallërimin e tramvajeve.

XS
SM
MD
LG