Ajo që shumë komentatorë iu referuan si Recesioni i Madh në Shtetet e Bashkuara, përfundoi më shumë se një vit më parë. Por ashtu si njerëzit në mbarë botën, shumë amerikanë kanë ende vështirësi financiare. Një tregues sesa e vështirë është situata është numri i njerëzve që i drejtohen për ndihmë organizatave bamirëse. Por edhe këto organizata janë në vështirësi financiare, veçanërisht në këtë sezon festash.
Pothuajse gjithë mëngjesin njerëzit vijnë vazhdimisht në këtë magazinë në qendër të Nashvillit. Ata vijnë për të marrë dhuratat për fëmijët e tyre, dhurata që nuk mund t’i blejnë dot vetë. Organizata Salvation Army jep dhurata falas përmes programit Angel Tree. Majori Rob Vincent, komandant i zonës, thotë se këtë vit ka parë disa fytyra të reja.
“Për herë të parë, në jetën e tyre disave u është dashur të kërkojnë ndihmë. U është dashur të marrin disa vendime të vështira, të sigurohen se paguajnë faturat – kështu që festa e Krishlindjeve do të jetë e vogël ose nuk do të jetë fare e pranishme këtë vit”.
Tia McCoy dhe familja e saj po përballen me disa vështirësi. Bashkëshorti i saj humbi vendin e punës në ndërtim dy vjet më parë kur tregu i shtëpive papritur u godit rëndë nga recesioni.
“Falë programit Angel Tree dhe këtyre vullnetarëve, të cilët punojnë shumë dhe nuk paguhen aspak, që fëmijët tanë do të festojnë Krishlindjet”.
Këto do të jenë Krishlindje praktike. Kërkesat e McCoyt nga programi Angel Tree ishin thjeshtë sende për të cilat familja ka nevojë, por nuk mund t’i përballojë dot.
“Për vajzën kërkova bebelino dhe disa sende sanitare. Për djalin kërkova një palë këpucë të reja, një pallto dhe ndoshta lojra edukative”.
Magazina e mbushur me më shumë se 12 mijë dhurata tregon se fëmijët e familjes McCoy nuk do të jenë të vetmit me dhurata nën pemë ditën e Krishlindjeve.
Por recesioni ka patur ndikim tek donacionet për bamirësinë dhe kjo ka bërë që organizata Salvation Army të ketë vështirësi në plotësimin e kërkesave për shërbime bamirësie. Majori Vincent thotë se Nashvilli merrte vetëm 500 kërkesa në muaj.
“Ky numër ka shkuar edhe në mbi 5 mijë në muaj herë herë në kohë të vështira. Për gati tre vjet ne kemi marrë 2 mijë deri në 2 mijë e 400 kërkesa çdo muaj nga njerëz, që kërkojnë ndihmë pasi nuk munden të përballojnë situatën”.
Organizatat e bamirësisë në mbarë vendin përballen me kushte të ngjashme. Lewis Lavine president i qendrës për Menaxhimin e organizatave jo-fitimprurëse të shtetitfg Tenesi, e vë theksin tek numri në rritje i njerzve në nevojë dhe pakësimi i donacioneve.
“Kjo do të thotë se ata kanë shkurtuar shpenzimet në maksimum. Të gjithë janë munduar të japin ç’të munden, por kanë patur vështirësi”.
Major Vincent dhe Tia McCoy pohojnë se një nga misionet e tyre thelbësore është t’u kujtojnë amerikanëve në vështirësi se ata nuk janë vetëm.
“Dua t’i siguroj se komuniteti kujdeset për ta dhe për vështirësitë e tyre. Duhet t’u japim shpresë këtyre familjeve në këtë sezon festash”.
“Gjithnjë ka shpresë. Edhe kur kemi qënë në pikën më të fundit kemi pasur shpresë”.
Organizatave të bamirësisë ka të ngjarë t’u kërkohet ndihmë për të dhënë pikërisht këtë ndjenjë shprese Krishlindjet e ardhshme. Pak ekonomistë parashikojnë një rimëkëmbje të ndjeshme ekonomike në vitin 2011.