Lidhje

Obama nënshkruan sot në Pragë traktatin për armët me presidentin rus


Presidenti Barak Obama do të jetë të enjten në Pragë për të nënshkruar një traktat të ri mbi pakësimin e armëve bërthamore me Presidentin rus Dmitri Medvedev.

Pakti i ri parashikon shkurtimin e arsenaleve të dyja palëve deri në masën 30 përqind, duke i lënë secilës nga rreth 1500 armë bërthamore strategjike.

Marrëveshja e re i ze vendin Traktatit të vitit 1991 për Pakësimin e Armëve Bërthamore (START), të cilit i ka kaluar afati.

Ajo vjen pas rreth një viti bisedimesh mes negociatorëve amerikanë dhe atyre rusë. Ata diskutuan për çështjet të tilla si verifikimi dhe kundërshtimi i Rusisë ndaj planeve amerikane për sistemin e mbrojtjes kundër raketave në Europë.

Presidenti Obama e ka quajtur traktatin marrëveshjen më të gjerë për kontrollin e armëve në 20 vjet. Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia po ndërtojnë një të ardhme më të sigurtë për fëmijët e tyre.

Zoti Medvedev, i cili arriti në Pragë të mërkurën, tha se nënshkrimi i traktatit është një ngjarje me rëndësi. Traktati, tha ai, do të përcaktojë procesin e çarmatimit bërthamor global për shumë vite në të ardhmen.

Që traktati të hyjë në fuqi, ai duhet të ratifikohet nga parlamenti rus dhe nga Senati amerikan.

XS
SM
MD
LG