Lidhje

Rajan Kroker: Pakistani është i humbur me mospraninë në konferencën e Bonit


Rajan Kroker: Pakistani është i humbur me mospraninë në konferencën e Bonit
Rajan Kroker: Pakistani është i humbur me mospraninë në konferencën e Bonit

Ambasadori amerikan në Afganistan, Ryan Kroker, thotë se është humbje për vetë Pakistanin bojkotimi i konferencës që po zhvillohet në Bon për ardhmërinë e Afganistanit. Ai i bëri komentet gjatë një interviste që dha për shërbimin afgan të Zërit të Amerikës në prag të fillimit të konferencës së Bonit.

Bojkotimi i konferencës nga ana e Pakuistanit vjen si shenjë proteste ndaj sulmeve ajrore të NATOS muajin e kaluar ku u vranë 24 ushtarë pakistanezë në kufirin me Afganistanin.

Ambasadori amerikan në Afganistan Rajan Kroker i tha Zërit të Amerikës se mungesa e Islamabadit në koenferencë nuk është e mirë por nuk pengon përparimin e Afganistanit.

“Sinqerisht, do të jetë humbje për ta mosprania në konferencë. Por kjo nuk ka për të ndryshuar rezultatin e konferencës”.

85 shtete po takohen 10 vjet mbas konferencës së parë të Bonit, në të cilën diplomatët emëruan qeverinë kalimtare të Afganistanit.

Tani, zoti Kroker thotë se komuniteti ndërkombëtar do të rishikojë angazhimin afatgjatë për sigurinë, stabilitetin dhe mirëqenien e Afganistanit.

“Qëllimi i përbashkët i pjesmarrësve ndërkombëtarë në këtë konferencë është të thuhet ‘Ne qëndruam me ju për 10 vjet... do të jemi me ju edhe për 10 vjet të tjerë’”.

Zoti Kroker thotë se ai ka parë shumë ndryshime në Afganistan gjatë dekadës së kaluar përveç rrëzimit të qeverisë së talebanëve.

“Kur erdha këtu kishte vetëm 900 mijë fëmijë në shkollë. Tani ka rreth 8 milion fëmijë në shkolla ku rreth 40% e tyre janë vajza. Jetëgjatësia e afganëve është rritur në mënyrë të paimagjinueshme, po ashtu edhe aktiviteti ekonomik është rritur ndjeshëm”.

Dhe ai pret më shumë ndryshime në sigurinë e vendit gjatë viteve të ardhshëm.

Zoti Kroket ndihmoi në nisjen e fazës së dytë të kalimit të sigurisë nga koalicioni tek forcat afgane në fillim të muajit.

XS
SM
MD
LG