Lidhje

Gjykata e Pakistanit miraton zhvillimin e hetimeve për një memorandum sekret


Gjykata e Pakistanit miraton zhvillimin e hetimeve për një memorandum sekret
Gjykata e Pakistanit miraton zhvillimin e hetimeve për një memorandum sekret

Gjykata e Lartë e Pakistanit ka miratuar një hetim lidhur me një memorandum që i kërkon Uashingtonit mbështetje për të parandaluar kërcënimin për një grusht shteti në Pakistan, pas operacionit që asgjësoi Osama Bin Laden. Gjykata ngriti dje një komision juridik për të hetuar memorandumin dhe për të mbledhur prova lidhur me skandalin.

Gjykata e Lartë i ka dhënë urdhër komisionit të përmbushë hetimet brenda 4 javësh. Komisionit i është dhënë detyra për të identifikuar origjinën, vërtetësinë dhe synimin e memorandumit të pasigluar, që thuhet se iu dërgua në maj Admiralit Mike Mullen, në atë kohë zyrtari më i lartë ushtarak amerikan.

Qeveria e kundështon idenë e një hetimi juridik paralel, duke këmbëngulur se një komision parlamentar ka hapur hetime mbi këtë memorandum.

Ka zëra se dokumenti sekret ishte hartuar nga ish-ambasadori pakistanez Husain Hakanni me mbështetjen e udhëheqjes civile për të parandaluar një grusht shteti pas vrasjes së bin Ladenit. Një jurist i njohur pakistanez, Asama Jehangir, i cili përfaqëson zotin Hakani në këtë çështje, kritikoi vendimin e gjykatës duke thënë se do të minojë përpjekjet për nxitjen e demokracisë në vend.

“Mendoj se është një hap prapa për tranzicionin demokratik dhe ata që punojnë për demokraci do të dëmtohen në periudhën afat-gjatë”.

Zoti Jehangir thotë se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, qeveria civile është bërë vegël në duart e ushtrisë në Pakistan. Megjithatë, kryeprokurori Anwar ul-Hak i hodhi poshtë kritikat:

“Nuk shoh ndonjë ndikim politik. Gjykata është shprehur se populli pakistanez do të dijë se për çfarë bëhet fjalë, pasi për momentin jemi në errësirë”.

Zoti Hakani u detyrua të japë dorëheqjen si ambasador pas skandalit me memorandumin, megjithëse i ka hedhur poshtë akuzat.

Por gjenerali pakistanez Ashfak Pervez Kayani, i cili mohon të ketë pasur plane për rrëzimin e qeverisë civile, këmbëngul se memorandumi ekziston dhe duhet të hetohet. Ai e përshkruan dokumentin si një përpjekje e pasuksesshme për të minuar sigurinë kombëtare të Pakistanit.

Gazeta The Financial Times botoi të dhëna mbi ekzistencën dhe hollësi nga përmbajtja e dokumentit sekret në tetor.

XS
SM
MD
LG