Lidhje

Veprat më të dashura të Pikasos në ekspozitë në Virxhinia


Veprat më të dashura të Pikasos në ekspozitë në Virxhinia
Veprat më të dashura të Pikasos në ekspozitë në Virxhinia

Veprat e Pablo Pikasos, një ndër artistët më të rëndësishëm të artit modern, po bëjnë një turne rreth globit ndërkohë që restaurohet muzeu që i ka në katalogun e tij të përhershëm këto vepra. Kohët e fundit këto punime mbërritën në Riçmond të Virxhinias, ku janë ekspozuar në Muzeun e Arteve të Bukura:

Koleksioni përfshin afro 200 vepra që mbulojnë karrierën prej 8 dekadash të Pablo Pikasos me punime nga viti 1901 e deri në 1972, një vit para vdekjes së artistit. An Baldasari është kuratore e ekspozitës dhe drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Pikasos në Paris, të cilit i përkasin këto vepra dhe shumë të tjera:

“Kemi 5 mijë punime dhe këtu kemi prezantuar rreth 200, pra vetëm një pjesë të vogël të zgjedhur në mënyrë shumë didaktive për të ofruar një prezantim sa më të mirë me procesin krijues të Pikasos”.

Po ashtu edhe një mundësi për të kuptuar se si donte të prezantohej Pikasoja:

“Ky është koleksioni personal i Pikasos,” shprehet Aleks Narxhis, drejtor i Muzeut të Virxhinias për Artet e Bukura, ku është organizuar ekspozita.

“Gjatë jetës së tij ai mbajti për vete të gjitha gjërat që i pëlqente më shumë. Ai veçoi mijëra vepra. Kur po shisnin zotërimet e tij pas vdekjes, u krijua Muzeu Pikaso”.

Këto punime përfaqësojnë çdo teknikë dhe çdo stil të veprës së tij. “Ai ishte në një revolucion të pandalshëm. Piktura ishte gjinia e tij e preferuar. Por ai kishte edhe punime skulpture si dhe realizoi vepra të rëndësishme si në fotografi dhe në gravurë. Ishte me të vërtetë një individ krijues,” thekson zonja Baldasari.

“Ai krijoi në një farë mënyrë atë që sot konsiderohet art modern. Çdo gjë që ka ndodhur në shekullin e 20 dhe tani në shekullin 21 lidhet në një mënyrë apo formë me Pikason”.

Artisti gjente frymëzim jo vetëm tek arti evropian, por edhe tek arti jo-perëndimor, gjë që duket qartë gjatë vizitës në Galeritë e Artit Afrikan në Muzeun e Virxhinias.

“Kombinimi i këtyre ekspozitave me koleksionin e Pikasos ishte i mrekullueshëm, pasi shihet se Pikaso ka marrë frymëzim nga arti afrikan si për formën edhe kompozimin, veçanërisht në skulpturë”.

Ekspozita është një sukses i garantuar për muzeun:

“Ky është një turne i kufizuar kombëtar dhe ndërkombëtar i koleksionit më të madh të Pikasos në botë”.

Ekspozita u jep admiruesve të Pikasos një mundësi të shohin disa nga veprat që vetë autori i vlerësonte më shumë.

XS
SM
MD
LG