Lidhje

Bota mirëpret lindjen e fëmijës së 7 miliardtë


Bota mirëpret lindjen e fëmijës së 7 miliardtë
Bota mirëpret lindjen e fëmijës së 7 miliardtë

Popullsia e botës arriti sot në 7 miliardë banorë, mes festimeve, por edhe shqetësimeve për ndikimin që mund të ketë tek burimet e planetit tonë. Një raport i ri i publikuar nga Kombet e Bashkuara e sheh këtë ngjarje historike, që organizata e zgjodhi të festohej sot, si një shenjë e jetëgjatësisë së njerëzve dhe përmirësimit të kushteve për mbijetesën e foshnjeve të porsalindura.

Por në raportin e OKB-së evidentohen ndryshimet e kushteve të jetesës në vende të ndryshme. Në shumë vende me të ardhura të ulëta, si ato të Afrikës NënSahariane dhe në disa vende aziatike, rritja e popullsisë ka patur ritme shumë më të shpejta se sa rritja ekonomike. Në raport thuhet se kontinentni me numrin më të madh të popullsisë është Azia, me 4,2 miliardë banorë, ndërsa popullsia e Afrikës pritet të trefishohet në fillim të shekullit të ardhshëm, duke arritur në 3,6 miliardë banorë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun u tha gazetarëve në Nju Jork se se të porsalindurit janë duke hyrë në një botë me “kontradikta të tmerrshme”, ku miliarda njerëz janë të uritur, edhe pse ka ushqime me shumicë. Duke cituar Sirinë dhe protestat ekonomike në Shtetet e Bashkuara, shefi i OKB-së i bëri sot thirrje qeverive dhe institucioneve publike të marrin masa për “pakësimin e zemërimit në rritje të publikut”.

Shifra 7 miliardë banorë konsiderohet si shenjë se njerzit po jetojnë më gjatë dhe vdekjet janë më të pakta. Një numër bebesh me këtë numër lindën sot në botë. Filipinet u zgjodhën si vendi i parë që festoi këtë lindje simbolike.

Bebja erdhi në këtë botë 2 minuta para mesnatës në një familje të Manilës në vështirësi. Sot, ajo u bë simbol i popullsisë së botës prej 7 miliardë banorësh dhe i të gjitha shqetësimeve që shoqërohen me të rreth së ardhmes së planetit tonë.

Danica Mej Kamaço u mirëprit me një kek çokollate në të cilin shkruhej "7B Filipine" dhe me një certifikatë dhuratë për këpucë falas.

Lindja u shoqërua me fotografi të shumta dhe fjalime të zyrtarëve. Por festimet pasqyronin një simbol më tepër se sa demokrafik.

Me miliona lindje dhe vdekje çdo ditë në gjithë botën, është e pamundur që të përcaktohet me saktësi bebja e 7 miliardtë.

Kombet e Bashkuara zgjodhën ditën e sotme për të festuar në gjithë botën me një seri lindjesh me këtë numër.

Danica ishte e para që lindi në spitalin Hose Fabella të Manilës dy minuta para mesnatës, por mjekët thanë se koha e lindjes ishte shumë e afërt për ta konsideruar si lindje të së hënës.

"Nuk e prisja këtë gjë, jam e habitur", pëshpëriti nëna e re, Kamill Galura, ndërsa tundte beben 2 kile e gjysëm.

Bebja Danica ishte fëmija e dytë për Kamillën dhe burrin e saj, Florante Kamaço, shofer, që suporton familjen me një rrogë fare të vogël.

Festimet me rastin e arritjes së kësaj shifre në popullsinë e botës ringjallën debatin rreth nevojës globale për të kontrolluar popullatën dhe nëse Kina, ende vendi me popullsi më të madhe, mund të shërbejë si model.

Në Kinë, popullsia e së cilës është 1 miliardë e 340 milion banorë, numri i lindjeve është në rrënie.

Demografët thonë se botës iu desh deri në vitin 1804 që të arrinte popullsinë prej 1 miliardë banorë dhe më shumë se një shekull në vitin 1927 që të arrinte në 2 miliardë.

Por ky rritëm ndryshoi ndjeshëm në shekullin e 21. Popullsia e botës arriti në 3 miliardë në vitin 1959; 4 miliardë në 1974; 5 miliardë në 1987; dhe 6 miliardë në vitin 1998. Kombet e Bashkuara përllogarisin që kjo popullsi të arrijë në 8 miliardë më 2025 dhe 10 miliardë deri në vitin 2083. Por këto numra mund të ndryshojnë ndjeshëm varësisht nga shumë aspekte, përfshirë jetëgjatësinë, rritmin dhe kontrollin e lindjeve si dhe shkallën e vdekshmërisë tek foshnjet.

XS
SM
MD
LG