Qendra amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve njofton se kanceri i prostatës është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri mes meshkujve. Edhe fondacioni për studime ndërkombëtare në fushën e kancerit thotë se gjatë vitit 2008 u regjistruan rreth 900 mijë raste të kancerit të prostatës. Në raportin e këtij fondacioni thuhet se deri në vitin 2030 kjo shifër mund të dyfishohet. Por shumë prej rasteve të reja të kancerit të prostatës janë të një rrezikshmërie të ulët dhe mund të mos kenë nevojë për trajtim.
Steve Pienson ishte diagnostikuar me kancer në prostat 3 vjet më parë, por analizat tregonin se kanceri ishte i një rrezikshmërie të ulët. Për këtë arsye ai dhe mjekët vendosën që të mos e trajtonin kancerin, por të ndiqnin nga afër prognozën e sëmundjes nëpërmjet vëzhgimit aktiv.
Steve thotë se ai kishte planifikuar që t'i nënshtrohej operimit për të hequr tumorin.
Mjekja Julia Hayes pranë institutit të Kancerit, Dana Farber në Boston thotë se vëzhgimi aktiv i sëmundjes përfshin analiza gjaku të përmuajshme për të parë nivelin e një proteine të quajtur antigjen specifik i prostates ose PSA. Mjekja Hayes thotë se vëzhgimi aktiv është një strategji e re për pacientët që nuk trajtohen fillimisht. Ata u nënshtrohen analizave të gjakut për PSA, biopsive dhe vizitave të rregullta në klinikë. Nëse sëmundja keqësohet, atëherë këta pacientë i nënshtrohen trajtimit.
Arsyet që mjekët dhe pacientët përpiqen të ndjekin strategji të vëzhgimit aktiv është për të shmangur trajtimin nga i cili preket cilësia e jetës së pacientit me kancer në prostat. Disa trajtime të prostatës kanë efekte anësore që i bëjnë pacientët impotentë, sterilë ose të mos jenë në gjendje të kontrollojnë urinimin.
Steve Pienson thotë se nëse do t'i ishte nënshtruar operacionit, cilësia e jetës së tij mund të ishte bërë më e keqe.
Mjekja Hayes dhe shkencëtarë të tjerë krijuan në model të komjuterizuar të 100 mijë burrave 65 vjeçarë, të sapo diagnostikuar me kancer në prostat me rrezik të ulët. Disa prej tyre iu nënshtrun trajtimit, të tjerët strategjisë së vëzhgimit aktiv.
Mjekja Hays thotë se burrat që ndoqën strategjinë e vëzhgimit aktiv patën një cilësi jete më të mirë në krahasim me burrat që iu nështruan formave të tjera të trajtimit.
Por mjeku Sean Collins në spitalin e universitetit Georgetown thotë se ai rekomandon vëzhgimin aktiv kryesisht për pacientët që pritet të jetojnë më pak se 10 vjet.
Doktor Collins thotë se kur kryhet biopsia në prostatë, mjekët marrin prej andej një mostër të kancerit. Por në prostat mund të ketë tumorë të tjerë të një lloji më agresiv.
Një tjetër disavantazh i vëzhgimit aktiv që në disa raste quhet -shiko dhe prit - është se një kancer më pak agresiv mund të rritet dhe kjo pastaj kërkon trajtim agresiv.
Doktor Collins thotë se nëse 1 mijë pacientë ndjekin strategjinë e vëzhgimit aktiv, disa prej tyre do të vdesin nga kanceri, por cilët do të jenë ata, kjo nuk dihet. Megjithatë, doktor Collins thotë se studimi është i vlefshëm sepse nga përmirësimi i cilësisë së jetës përfitojnë shumë pacientë, prandaj startegjia e vëzhgimit aktiv për kancerin e prostatës duhet patur parasysh. Studimi u botua në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisë.