Në Shqipëri reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë detyruar autoritetet që të vendosin hapjen, për shkarkimin e ujërave, të portave të hidrocentraleve mbi Drin. Këtë e bëri të ditur zëvendësministri I Energjitikës Leonard Beqiri.
Deklaratat e zëvendësministrit u bënë në përfundim të mbledhjes së komitetit të posacëm të vëzhgimit të situatës në Kaskadën e Drinit. Zoti Beqiri tha gjithashtu se për gjendjen janë njoftuar edhe autoritetet lokale të zonës së nënShkodrës si dhe janë në gatishmëri njësitë e emergjencës civile. Kjo situatë hidrike po shfrytëzohet nga Korporata energjitike e cila ka vënë në funksionim me kapacitet të plotë hidrocentralet duke arritur një kuotë prodhimi prej 30 milion kilovat orë në ditë, nga të cilat 17 milion eksportohen.