Rusia, një nga eksportuesit më të mëdhenj të grurit në botë, është goditur nga një valë të nxehti me temperatura që nuk janë parë në mbi 100 vitet e fundit. Të nxehtit rekord ka shkaktuar thatësirë dhe zjarre që kanë shkatërruar një të pestën e grurit të mbjellë në Rusi dhe kërcënon shkatërrime të mëtejshme. Analistët thonë se zgjatja e thatësirës do të sjellë rritjen e çmimit të bukës kudo në botë.
Nxehtësia e padurueshme dhe smogu nuk janë vetëm shqetësim shëndetësor në Moskë. Vala e nxehtësisë mund të çojë në rritjen e çmimeve të bukës në gjithë botën.
Rusia, eksportuesi i tretë në botë i grurit, llogarit se thatësira e madhe dhe zjarret kanë shkatërruar më shumë se 20% të të mbjellave të saj të grurit. Të enjten e kaluar, kryeministri Vladimir Putin vendosi ndalimin e eksporteve të grurit që do të jetë në fuqi të paktën këtë vit për të mos lejuar rritjen e çmimeve të ushqimit në vend. Dimitry Rylko është analist i drithërave në Institutin për Studime Bujqësore të Moskës.
“Situata e tanishme do të shkaktojë rritje serioze të çmimeve të miellit dhe si rezultat edhe rritjen e çmimit të bukës për një kohë të caktuar.”
Eksportuesit e mëdhenj të grurit si Australia dhe Kanadaja janë përfituesit më të mëdhenj të mungesave të grurit në treg. Në Shtetet e Bashkuara, javëve të fundit çmimet e grurit janë rritur 70%, por analisti i tregut Alan Knuckman thotë së çmimet ende janë më të ulëta se sa niveli i tyre më i lartë historik.
“Nëse i hedh një vështrim të përgjithshëm kësaj çështje, çmimet më të larta të grurit në vitin 2008 ishin 64 dollarë për ton, tani ne ende nuk kemi arritur në kuotën e 40 dollarëve për ton.”
Duke mos e parë ende fundin e valës së të nxehtit në Rusi, Dimitry Rylku beson se e ardhmja për të mbjellat e dimrit dhe të pranverës duket e zymtë.
“Nëse nuk do të ketë rreshje, mbjelljet e dimrit nuk do të bëhen. Ato do të shtyhen pastaj për në pranverë, por rajonet ku tradicionalisht mbillen bimët dimërore do të ndeshen me vështirësi teknike nga mbjelljet pranverore.”
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për ushqimin ka paralajmëruar se furnizimet botërore me grurë do të tkurren vitin e ardhshëm për shkak të prodhimit të dobët në vendet e tjera që prodhojnë grurë. Analistët thonë se vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës dhe pjesë të Azisë, do të goditën më fortë nga mungesa e grurit sepse qeveritë në këto vende subvencionojnë koston e ushqimit.