Lidhje

Gara republikane në prag të zgjedhjeve në Karolinën e Jugut


Gara republikane në prag të zgjedhjeve në Karolinën e Jugut
Gara republikane në prag të zgjedhjeve në Karolinën e Jugut

Gara për të siguruar emërimin e Partisë Republikane si kandidat në zgjedhjet e ardhshme presidenciale ka kaluar në një numër peripecish ndërsa kandidatët përgatiten për zgjedhjet në Karolinën e Jugut. Guvernatori Rick Perry u tërhoq nga gara dhe shprehu mbështetje për kandidatin Newt Gingrich, ndërkohë që zoti Gingrich u përball me akuza të reja për probleme personale gjatë martesës së dytë. Ai i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura nga ish-bashkëshortja e tij.

Paul Hines nga Teksasi tërheq mjaft vëmendje me makinën e tij Plymouth Prowler, model i vitit 1999. Këtë radhë ai ka ardhur në një aktivitet në Karolinën e Jugut në mbështetje të kandidatit të tij Newt Gingrich.

"E kam lyer edhe më parë makinën. Kjo mund të jetë hera e dhjetë. Në fillim e kisha lyer në mbështetje të Rick Perry-t, por ai s’doli mirë. Më pas dola në mbështetje të Herman Cain, por ai u tërhoq nga fushata. Tani mbështes Newt Gingrich”.

Paul Hines nuk është i vetmi që ka ndërruar preferencë. Vetë Guvernatori Perry e pohon se nuk ka dalë mirë në këtë fushatë.

"Për këtë arsye po pezulloj fushatën dhe shpreh përkrahjen time për Newt Gingrich si president. Unë mendoj se Newt Gingrich është një konservator me vizion, i cili mund ta transformojë vendin. Kemi pasur mospajtime, të cilat janë të paevitueshme gjatë një fushate. Newt nuk është i përsosur, por cili nga ne është?”

Zoti Gingrich po bën fushatë energjike në Karolinën e Jugut dhe anketat tregojnë se ka ngushtuar diferencën me kandidatin më të fortë Mitt Romney:

Por edhe në këto momente force për zotin Gingrich, ka plot pyetje për jetën e tij personale. Një gjë e tillë e shqetëson Kit Boan, votues konservator.

"Më pëlqen shumë Newt Gingrich. Por kjo intervista e re me gruan e tij të dytë është shumë e dëmshme nëse është sado pak e vërtetë”.

Në intervistën që dha, ish-bashkëshortja e tij Marianne ngre pretendimin se ai i kishte kërkuar të pranonte faktin që ai kishte një të dashur, Calista-n, e cila tani është gruaja e tij e tretë, e pandarë prej tij gjatë gjithë fushatës. Votuesi Boan thotë se i pëlqen Newt Gingrich, por do të votojë për Rick Santorum, ish-senator nga Pensilvania, i besimit katolik, i martuar me 7 fëmijë.

"Do të votoj si më thotë ndërgjegja. Mendoj se askush nuk është i përsosur, por të paktën Rick Santorum besoj se është më pranë mënyrës si mendoj unë në lidhje me vlerat e familjes”.

Votuesit në Karolinën e Jugut ende nuk kanë zgjedhur një kandidat të vetëm. Deri në momentin kur u tërhoq zoti Perry, konservatorët anonin nga zoti Romney, ndërsa pjesa tjetër e votës ishte e ndarë mes zotit Santorum dhe Newt Gingrich.

Aktivisti kundër abortit Johnny Gardner mendon se një kandidat tjetër është zgjedhja më e mirë:

"Do të votoj për Ron Paul. Mendoj se ai është i vetmi kandidat i Partisë Republikane që ka një plan për të nxjerrë jashtë ligji abortin”.

Shumë konservatorë në çështje sociale si dhe votues të prirë nga parimet fetare pritet të luajnë rol kryesor në zgjedhjet e Karolinës së Jugut.

Pedagogia e Universitetit Amerikan Jennifer Lawless thotë se pritet të shihet nëse këta konservatorë do të mbështesin zotin Romney:

"Zoti Romney doli mir[ mes konservatorëve në Nju Hempshër. Nuk ishin vetëm të moderuarit që e mbështetën. Nëse konservatorët në Karolinën e Jugut e mbështesin, ky do të ishte një sinjal i qartë se elektorati konservator po grumbullohet rreth tij dhe do të jetë praktikisht e pamundur që ndonjë kandidat tjetër të sigurojë emërimin”.

Por zgjedhjet në Karolinën e Jugut janë vetëm një hap tjetër në fushatë. Kandidatët dhe votuesit do të hedhin sytë së shpejti nga Florida, ku zhvillohen zgjedhjet në fund të muajit.

XS
SM
MD
LG