Lidhje

Çështja e racizmit në vrasjen e adoleshentit afrikano-amerikan


Departamenti amerikan i Drejtësisë po shyrton mundësinë e ngritjes së akuzave për krimin e urrejtjes në lidhje me vrasjen e një të riu të paarmatosur afrikano-amerikan nga një i bardhë, drejtues i një grupi vullnetar të ngritur nga vetë banorët për sigurinë e lagjes. Policia nuk e ka arrestuar personin që ka shtënë dhe nuk e ka akuzuar atë për krim. Një juri e madhe e shtetit do të mblidhet muajin e ardhshëm për të shqyrtuar të gjitha provat. Ndërkohë tensionet janë të larta në komunitetin e Sanfordit në Florida ku vëmendja e mbarë vendit është përqëndruar në çështjen e racizmit dhe të vetmbrojtjes.

Ka patur disa ditë protesta dhe thirrje për drejtësi në këtë komunitet të vogël të Floridës.

Aty, adoleshenti i paarmatosur afrikano-amerikan Trayvon Martin u qëllua për vdekje muajin e kaluar gjatë një konfrontimi me një vullnetar për mbikëqyrjen e sigurisë në lagje. George Zimmerman, që ishte duke shkuar në shtëpinë e të jatit gjatë një nate me shi, në një komunitet ku nuk lejohet hyrja, nëse nuk je banor i tij, pa Trayvon Martinin në një nga rrugët e lagjes. Zimmerman telefonoi policinë.

"Ky djalë duket se nuk ka synime të mira, ose përdor drogë apo diçka tjetër.

"A po e ndjek ?"

Zimmerman: "Po."

"OK, nuk duam ta bësh një gjë të tillë."

Por Zimmerman duket se e ndoqi megjithatë Martinin. Pak më pas banorët dëgjuan bërtitma – më pas të shtëna.

"Po përlesheshin mbrapa kopshtit tim kur dikush bërtiti – qëlluan me armë."

Zimmerman thotë se e qëlloi Trayvon Martin në vetmbrojtje pasi u sulmua. Policia nuk e ka akuzuar atë me krim për shkak të një ligji të veçantë të Floridas . Ai u jep njerëzve të drejtën të mbrojnë veten duke përdorur armë, edhe jashtë shtëpive të tyre. Prindërit e Martinit e kundërshtojnë pretendimin e vetmbrojtjes. Ata thonë se djali i tyre u vu në shënjestër pasi ishte zezak.

"Në se do të ishte i bardhë, nuk do të ishte ndaluar. As që do t’i ishin qasur."

Familja e Zimmermanit thotë se ai nuk është racist. Por shumë afrikano-amerikanë thonë se çështja është rreth stereotipit të të rinjve zezak si kriminelë të dhunshëm. "Si mund ta justifikosh vrasjen?"

Departamenti i policisë në Sanford, të Floridas, është nën presion për hetimin që ka bërë. Kryetari i bashkisë Jeff Triplett.

"Në se janë bërë gabime do t’i shqyrtojmë dhe do të veprojmë si duhet."

Autoritetet pranojnë se nuk i kanë parë me kujdes provat se ka patur me sa duket një sharje raciste të Zimmermanit para se të qëllonte mbi Martinin. Analisti ligjor Bill Schaefer:

"Dikush mund të argumentojë se kjo deklaratë lidhur me prova të tjera mund të bëjë që zyra e avokatit të shtetit të fillojë ta shoh incidentin si një krim urrejtjeje."

Oficerët e policisë gjithashtu nuk e morrën në pyetje të dashurën e Martinit. Të dhënat telefonike tregojnë se ajo foli me të disa momente para se ai të vdiste. Ajo thotë se i tha se po mundohej t’i shpëtonte dikujt që po e ndiqte. Ben Crump është avokati i familjes:

"Pretendimi se Trayvon Martin ishte agresori është absurd dhe nuk mund të lejohet pasi tani i kemi të gjitha provat."

Tensionet në komunitetin e vogël po shtohen ndërsa udhëheqësit e të drejtave civile po zhvillojnë protesta. Media sociale to tërheq gjithashtu vëmendjen e vendit për këtë çështje. Më shumë se një milion njerëz kanë nënshkruar një peticion në internet ku kërkohet arrestimi i Zimmermanit. Sybrina Fulton është e ëma e Trayvon Martin-it.

"Nuk e kuptoj përse ky njeri nuk është arrestuar. Të paktën ta akuzojnë dhe le të vendosë juria në se është fajtor apo jo."

Kjo nuk do t’ia sillte djalin përsëri në jetë. Por ndërsa autoritetet federale dhe shtetërore hetojnë vrasjen e Trayvon Martinit, disa ligjvënës po ngrenë pikëpyetje mbi ligjin që i lejon disa njerëz të vetmbrohen duke përdorur armë.

XS
SM
MD
LG