Lidhje

Shtyhet nisja e anijes hapsinore Endevor pas problemeve teknike


Shtyhet nisja e anijes hapsinore Endevor pas problemeve teknike
Shtyhet nisja e anijes hapsinore Endevor pas problemeve teknike

Fluturimi i fundit i anijes hapsinore Endevor është shtyrë për probleme teknike dhe shpresohet që nisja të realizohet të hënën. Presidenti Obama ishte planifikuar të ndiqte nisjen e anijes së bashku me ligjvënësen Gabriel Gifords, e shoqja e komandantit të anijes Mark Kelli. Ajo është në procesin e rehabilitimit pas një plage në kokë si rezultat i një sulmi me armë zjarri tre muaj më parë. Vonesa ishte rezultat i një defekti teknik që do të kishte nxjerrë probleme gjatë zbritjes së anijes.

Rreth 3 orë e gjysmë para momentit të planifikuar për nisje, menaxherët e NASA-s pezulluan hedhjen në hapësirë të anijes Endeavor, si rezultat i një defekti në një nga njësitë rezervë të anijes, e cila njihet me inicialet APU. Anija ka tre njësi rezervë për furnizim me energji dhe ka nevojë për funksionimin e sistemit rezervë për të realizuar kthimin në Tokë. Fillimisht inxhinierët mendonin se mund të arrinin ta riparonin njësinë brenda dy ditësh. Në komentet me telefon për Zërin e Amerikës nga Qedra Hapsinore Kenedi, zëdhënësi i NASA-s Majk Këri shpjegoi vendimin e inxhinierëve për ta vonuar nisjen një ditë:

"Ata zakonisht i kontrollojnë gjërat brenda një periudhe 1 apo dy ditëshe, por këtë radhë inxhinierët arritën në përfundimin se do të nevojitej më shumë kohë për ta zgjidhur problemin dhe vendosën të rezervojnë të paktën 72 orë”.

Zoti Këri tha se dy kaldaja të dëmtuara në njësinë APU ishin shkaku i problemit. Zëdhënësi i NASA-s thotë se kaldajat janë të domosdoshme për të mundësuar që kimikati i lëngshëm hidrazinë, nuk ngrin kur anija të jetë në hapësirë.

"Kur anija është në hapësirë, ajo është nën kontrollin e motorëve që mundësojnë drejtimin e saj, ndërsa njësia APU është e fikur. Por kimikati hidrazinë është ende në tubacione dhe anija ekspozohet ndaj temperaturave që mund të bien deri në -250 gradë, kur udhëton në anën e errët të Tokës. Hidrazina do të ngrinte nëse nuk funksionojnë kaldajat dhe njësia APU nuk do të funksiononte si duhet për të realizuar një zbritje të rregullt”.

Nëse problemet teknike apo kushtet e motit bëjnë të domosdoshëm pezullimin e nisjes të hënën, zoti Këri thotë se nuk ka shumë gjasa që anija të lëshohet në hapësirë para datës 4 maj. Në një rast të tillë anija duhet t’i lëshojë vendin raketës Atlas që është planifikuar të niset nga e njëjta platformë dhe menaxherët nuk do të jenë në gjendje të përgatiten për nisjen e anijes para datës 8 maj.

Vonesa ishte një zhgënjim i madh për mbi 700 mijë vetët që ishin mbledhur përgjatë bregdetit të Oqeanit Atlantik në shtetin Florida për të parë nisjen e parafundit të një anijeje për vajtje-ardhje në hapësirë si dhe udhëtimin e fundit të anijes Endeavour, e cila ka kryer deri tani 24 misione gjatë një periudhe 19 vjeçare.

Në këtë mission, anija do të dërgojë 6 astronautë për një vizitë dy javëshe në Stacionin Ndërkombëtar Orbital si dhe një sistem për eksperimente astrofizike, të quajtur Spektometri 2 Alfa-Magnetik. Sistemi do të përdoret për të studiuar rrezet kozmike dhe materien e errët, që shkencëtarët shpresojnë se do të ofrojë informata të reja mbi misteret e universit. Misioni përfshin edhe 4 ecje në hapësirë dhe do të jetë hera e fundit që astronautët do të dalin nga anija, pasi nuk ka plane për ecje në hapësirë në misionin e fundit me anije hapsinore që është planifikuar për në fund të qershorit.

XS
SM
MD
LG