Lidhje

Pres. Obama përgëzon ekipet speciale për operacionin kundër bin Ladenit


Pres. Obama përgëzon ekipet speciale për operacionin kundër bin Ladenit
Pres. Obama përgëzon ekipet speciale për operacionin kundër bin Ladenit

Presidenti Obama thotë se Shtetet e Bashkuara i “kanë prerë kokën” al-Kaidës, falë vrasjes së Osama bin Ladenit dhe se do të arrijnë ta mposhtin këtë grup terrorist. Zoti Obama i bëri komentet në një bazë ushtarake në Kentaki, pasi u takua kokë më kokë me pjesëtarët e ekipeve elitë që realizuan sulmin ndaj kompleksit të Bin Ladenit në Pakistan.

Gjatë vizitës në bazën ushtarake Fort Kampbell në Kentaki, presidenti Obama dhe nënpresidenti Bajden përgëzuan forcat amerikane që morën pjesë në operacionet e së dielës së kaluar në Pakistan.

Ata zhvilluan takime kokë-më-kokë me ekipet speciale të marinës dhe pilotët e ushtrisë amerikane që i përkisnin njësive që sulmuan kompleksin e bin Ladenit dhe vranë udhëheqësin e al-Kaidës. Presidenti i përgëzoi me fjalët “bëtë punë të mirë”.

Zoti Obama më pas përsëriti të njëjtin mesazh para qindra ushtarëve që brohorisnin me entuziazëm në një aerodrom aty pranë:

“Erdha këtu për arsyen e thjeshtë, që t’ju falenderoja në emër të Amerikës. Kjo ka qenë një javë historike për kombin tonë”.

Baza Fort Kampbell ka pësuar humbje të konsiderueshme gjatë luftimeve në Afganistan. Zoti Obama ka tërhequr rreth 100 mijë trupa nga Iraku dhe ka dërguar dhjetëra mijëra të tjerë në Afganistan. Ai u tha ushtarëve se vendimi për t’i dërguar në vijën e frontit përballë armikut ishte më i vështiri që ka marrë si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe arriti në këtë vendim pas një analize të kujdesshme.

Presidenti shprehu mirënjohje për të gjithë ata që ndihmuan për të eliminuar kërcënimin që paraqiste bin Ladeni:

“Falë aftësive dhe kurajos së jashtëzakonshme të individëve, agjentëve dhe ushtarakëve të panumërt gjatë viteve, udhëheqësi terrorist që sulmoi vendin tonë më 11 shtator, 2001 nuk do ta kërcënojë më kurrë Amerikën”.

Zoti Obama tha se vrasja e Bin Ladenit ishte një hap përpara drejt çlirimit të Shteteve të Bashkuara dhe botës nga kërcënimi i al-Kaidës. Por ai nënvizoi se lufta kundër al-Kaidës dhe terrorizmit në përgjithësi do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG