Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit Bill Burns, i shoqëruar nga Ndihmës Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Zbatimin e Ligjit, William R. Brownfield, do të fillojnë nesër një turne pune me ndalesa në Vjenë të Austrisë si dhe në disa vende të Ballkanit Perëndimor.
Dy zyrtarët e lartë do të zhvillojnë nga data 16-20 shkurt takime me zyrtarë të lartë në Serbi, Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Kroaci lidhur me çështje dypalëshe dhe rajonale.
Gjatë takimeve, Zëvendës Sekretari Burns do të nënvizojë angazhimin amerikan ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e vazhdueshme për aspiratat e tyre euro-atlantike. Ai do t’i nxisë vendet për bashkëpunim më të madh rajonal si dhe do të theksojë nevojën që udhëheqësit e këtyre vendeve të punojnë seriozisht në përgjigje të sfidave si forcimi i shtetit ligjor dhe zhvillimi ekonomik.
Para turneut në Ballkanin Perëndimor, dy zyrtarët e lartë amerikanë do të ndalen fillimisht në Vjenë për të marrë pjesë në takimin ministror të Paktit të Parisit në mbështetje të përpjekjeve rajonale dhe afgane kundër trafikut të drogës.