Lidhje

Tensione SHBA-Siri pas vizitës së ambasadorit amerikan në Hama


Ambasadori amerikan Robert Ford
Ambasadori amerikan Robert Ford

Qeveria amerikane dhe ajo siriane shkëmbyen dje fjalë të ashpra lidhur me vizitën e ambasadorit amerikan, Robert Ford në qytetin verior sirian Hama, një qendër e protestave anti-qeveritare. Departamenti i Shtetit e cilësoi plotësisht absurde akuzën e Sirisë se ambasadori Ford po përpiqej të nxiste dhunë anti-qeveritare.

Ambasadori Ford u prit me brohoritje entuziaste dhe lule gjatë vizitës dje në Hama dhe ky episod që u përcoll në masë përmes faqes elektronike YouTube, revoltoi autoritetet siriane.

Një deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Sirisë thekson se i dërguari amerikan mobilizoi ata që ministria i cilëson si ‘sabotatorë’ për të kryer akte dhune. Autoritetet siriane e cilësuan këtë vizitë si një ‘provë më të mirë’ të rolit amerikan në kryengritjen anti-qeveritare që ka mbërthyer Sirinë që nga muaji mars.

Komentet u pritën me reagime të forta nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Viktoria Nuland:

“Plotësisht absurde. Arsyeja e vizitës së tij ishte të shprehte solidaritet me të drejtën e popullit sirian për të demonstruar në mënyrë paqësore. Pikërisht këtë bëri dje ambasadori”.

Zonja Nuland nuk i kushtoi rëndësi akuzës siriane se zoti Ford kishte shkuar në Hama pa leje, duke thënë se ambasada amerikane në Damask kishte njoftuar Ministrinë siriane të Mbrojtjes se një delegacion amerikan do të shkonte në Hama dhe se autokolona e tyre do të kalonte përmes një postblloku ushtarak:

“Ideja që kjo vizitë ishte disi e papritur për qeverinë siriane, apo që përbënte dhunim të vendim-marrjes që u takon sirianëve nuk ka kuptim aspak”.

Zonja Nuland vuri në dukje se vizita e ambasadorit Ford në Hama përkonte me një vizitë të ambasadorit francez Erik Shevalie dhe tha se megjithëse të dy diplomatët ishin takuar të enjten në mbrëmje, vizitat e tyre nuk ishin të koordinuara më parë.

Eksperti i zhvillimeve në Siri, David Shenker pranë Institutit për Politikat e Lindjes së Mesme me seli në Uashington, thotë se vizita e zotit Ford ishte sinjali i parë i qartë i administratës Obama se mbështet lëvizjen e protestave në këtë vend. Por ai thotë se ky hap kërkon ndjekjen e një politike më të ashpër ndaj qeverisë së presidentit Bashar al-Asad.

“Ky hap në vetvete nuk mjafton. Duhet të kombinohet me deklarata të qarta politike nga Uashingtoni, të cilat thonë se Amerika qëndron përkrah popullit sirian dhe se regjimi i Asadit nuk ka më legjitimitet”.

Deri tani administrata Obama nuk ka bërë kërkesa të hapura për dorëheqjen e Presidentit Al-Asad, por ka theksuar se presidenti duhet të vërë në zbatim reforma, ose ‘t’u hapë rrugën ndryshimeve’.

XS
SM
MD
LG