Një takim i veçantë dy ditor, në të cilin pritet të marrin pjesë më shumë se 40 kryetarë shtetesh dhe qeverish, fillon punimet këtu në Uashington më 12 prill. Ky takim i pashembullt do të përqëndrohet në një çështje të vetme: si të mbrohen materialet bërthamore nga terroristët.
Si të mbrohen stoqet bërthamore nga terroristët, do të jetë në qendër të takimit të nivelit të lartë për sigurinë globale.
Presidenti Barak Obama hodhi idenë e këtij takimi vitin e kaluar, duke parashtuar vizionin e tij gjatë një fjalimi në Pragë.
“Po njoftoj një përpjekje të re ndërkombëtare për të siguruar të gjitha materialet e pambrojtura bërthamore në gjithë botën gjatë një periudhe 4 vjeçare. Do të caktojmë standarte të reja, do të shtojmë bashkëpunimin me Rusinë, dhe do të përpiqemi të krijojmë partneritete të reja për të mbrojtur sa më mirë këto materiale sensitive”.
Në fjalimin e tij, Presidenti Obama tha se terroristët bërthamorë janë të vendosur të blejnë, ndërtojnë ose të vjedhin armë bërthamore.
Në takimin e Uashingtonit do të diskutohet rreth grupeve si al-Kaida dhe si të parandalohen ata nga zotërimi i materialeve bërthamore për prodhimin e bombave. Alexandra Toma, eksperte e sigurimit bërthamor me grupin Connect U.S. Fund, thotë se rreziku është real.
“Terrorizmi bërthamor është kërcënimi numër një ndaj sigurisë amerikane dhe asaj globale. Vetëm që nga janari i këtij viti, dy komisione ndër-partiake kanë thënë se al-Kaida është përpjekur të zotërojë armë bërthamore që prej viteve 90-të dhe ata po vazhdojnë aktivisht këto përpjekje”.
Konferenca pritet të shqyrtojë mënyrat për përmirësimin e sigurisë së materialeve bërthamore në gjithë botën si dhe shtimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Por ekspertët thonë se askush nuk e di madhësinë e stoqeve të armëve bërthamore sepse jo të gjitha vendet njoftojnë sasinë e prodhimit. Ken Luongo kryeson organizatën kërkimore Partneriteti për Sigurinë Globale.
“Gjatë Luftës së Ftohtë në veçanti Shtetet e Bashkuara dhe Rusia prodhuan materiale bërthamore për qëllime ushtarake. Ata nuk njoftuan as njeri tjetrin e as ndonjë autoritet ndërkombëtar. Pakistanezët dhe indianët mbajnë shumë sekret se sa materiale prodhojnë. Ne nuk dimë sa prodhojnë izraelitët e kështu me rradhë, pra nuk ekziston
Zoti Luongo thotë se jo të gjitha vendet mendojnë se terroristët duan të zotërojnë material bërthamor për të ndërtuar një bombë.
“Shumë vende nuk e pranojnë faktin se terrorizmi bërthamor është një përparësi e lartë. Një gjë e tillë më habit, por kjo është e vërtetë. Madje ekziston një ndryshim i madh mes pikpamjet së Shteteve të bashkuara dhe disa prej aleatëve të tyre kryesorë dhe pjesës tjetër të botës, veçanërisht vendeve në zhvillim”.
Analistët thonë se objektivi kryesor është që pjesëmarrësit në takimin e Uashingtonit të pranojnë se kërcënimi ekziston. Por Alexandra Toma thotë se duhet të kërkohen rezultate më konkrete.
“Ne presim që nga ky takim të dalë një komunikatë me një plan veprimi, një afat kohor specifik me synime shumë të qarta dhe të realizueshme, se si të sigurohen dhe mbrohen këto materiale bërthamore sensitive”.
Kohët e fundit, Presidenti Obama dhe homologu i tij rus Dmitri Medvedev ranë dakord për një traktat të ri për pakësimine armëve bërthamore me rreze të gjatë veprimi. Ekspertët besojnë se ky traktat amerikano-rus mund të ketë një ndikim pozitiv për rezultatin e takimit mbi terrorizmin bërthamor.