Lidhje

Ahmadinexhad kritikon ashpër Shtetet e Bashkuara


Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara gjatë fjalimit që mbajti në konferencën mbi Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

Presidenti Ahmadinexhad tha se kur Amerika prodhon armë bërthamore, i inkurajon vende të tjera të prodhojnë armë, duke shkaktuar një garë armatimesh.

Në komentet që bëri sot, zoti Ahmadinexhad akuzoi Shtetet e Bashkuara se kërcënojnë bazuar në një pretekst të rremë vende të tjera, përfshirë edhe Iranin. Ai tha se nuk ka prova të besueshme se vendi i tij po zhvillon armë bërthamore.
Delegatë nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca dolën nga salla ndërsa udhëheqësi iranian fliste.

Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon tha në konferencë se barra e përgjegjësisë bie mbi Iranin që të sqarojë dyshimet dhe shqetësimet rreth programit të tij bërthamor.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre e akuzojnë Iranin se po përpiqet fshehurazi të zhvillojë armë bërthamore. Irani thotë se programi i tij atomik ka qëllime paqësore.

XS
SM
MD
LG