Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën sot në Stamboll për të shënuar pesë vjetorin e vrasjes së një gazetari të etnisë armene.
Turma e njerëzve protestoi një vendim të gjykatës sipas të cilit vrasësi i gazetarit Hrant Dink nuk ishte pjesë e një komploti më të gjerë. Demonstruesit dënuan gjithashtu atë që ata e quajtën fashizëm në Turqi.
Dje, një gjykatë turke dënoi me burgim të përjetëshëm Yasin Hayal për nxitjen e vrasjes së zotit Dink, jashtë zyrës së tij, në Janar të vitit 2007.
Gjykata ndërkohë shpalli të pafajshëm 19 persona të tjerë të akuzuar si pjesëmarrës në një organizatë terroriste. Ky vendim u kritikua nga avokatët e familjes së gazetarit Dink, sipas të cilëve vrasja e tij ishte një veprim i planifikuar.
Zoti Hrant Dink ishte kryeredaktor i gazetës dygjuhëshe turko-armene Agos. Ai kishte zemëruar nacionalistët turqë duke i përshkruar si “genocid” vrasjet masive të armenëve nga Perandoria Otomane, në fillimin e shekullit të 20-të.