Lidhje

Begatia në Turqi krijon hendek mes klasave


Begatia në Turqi krijon hendek mes klasave
Begatia në Turqi krijon hendek mes klasave

Në Turqi, muaji i Ramazanit ka nxjerrë në pah hendekun e madh mes të pasurve dhe të varfërve. Shtimi i radhëve të klasës së pasur, produkt i një dekade me rritje të paparë ekonomike, ka shtuar numrin e atyre që shkojnë për iftar në restorante e hotele luksoze. Por një fakt i tillë ka hapur një debat të ndezur në vend mbi pabarazinë mes klasave:

Në qendër të Stambollit, Rumejsa Çamdereli po ndihmon në përgatitjet për darkën e Iftarit në hijen e një hoteli me 5 yje. Kjo darkë që shtrohet në fund të ditës së agjërimit për Ramazan është falas për këdo. Ky organizim i përjavshëm bëhet në shenjë proteste ndaj shpalosjes së hapur të pasurisë gjatë muajit të shenjtë islamik:

“Ramazani është koha kur duhet të kujtojmë të varfrit dhe të kujtojmë se mund të jemi nganjëherë të uritur dhe duhet të ndihmojmë ata që vuajnë. Kjo protestë shërben për t’ia theksuar këtë fakt atyre që kanë shtruar darkë iftari në këto hotele luksoze”.

Menuja e thjeshtë prej supe, djathi dhe hurma arabie, dallon shumë nga iftari me kosto 100 dollarë e sipër që është shtruar në hotelet luksoze përreth.

Ndërkohë që Turqia po përjeton rritje të fortë ekonomike për afro 1 dekadë, iftari në hotele të tilla po bëhet diçka e modës.

Menaxheri i një restoranti Ilker Sonuk tregon kujdes në çdo detaj të përgatitjes:

“Këtu jemi në kopështin e hotelit. Është vend shumë i mirë për të shtruar dhe ngrënë iftar. Të hënën do të shtrojmë iftar për 500 vetë. Morëm porosi nga një kompani”.

Shpesh në darka të tilla shihen anëtarë të qeverisë. Por nën presionin e kritikave, kryeministri turk Reçep Taip Erdogan, një besimtar mysliman i devotshëm, i ka kritikuar aktivitete të tilla.

Partia AK në pushtet e prezanton veten si partia e të varfërve. Por megjithë rritjen ekonomike rekord, numri i turqve që jetojnë në varfëri ka mbetur i pandryshuar gjatë sundimit të tij 9 vjeçar.

Ndërkaq, në darkën e protestës po shtrohet ushqimi. Darka fillon me lutje. Pjesëmarrësit nuk ulen vetëm për të ngrënë, por edhe të diskutuar çfarë mishëron iftari:

“Ka njerëz që nuk kanë bukë të hanë e nga ana tjetër ka nga ata që paguajnë 600 lira turke, apo thuajse aq sa një rrogë minimale për të ngrënë iftar një natë. Kjo nuk mund të quhet iftar, në fund të agjërimit, pasi agjërimi për të gjithë myslimanët duhet të jetë i barabartë dhe të tregojë respekt për gjendjen e tjetrit. Prandaj i konsiderojmë këto iftare të shtrenjta si vanitoze dhe shpërdoruese”.

Me mbarimin e iftarit, Rumejsa dhe të tjerë fillojnë pastrimin. Protesta, shpjegon ajo, nuk duhet të krijojë përçarje, por të krijojë ura lidhëse në shoqërinë turke.

“Myslimanët, por edhe njerëz të besimeve të tjera, turq, kurdë e të tjerë mund të ulen të hanë një darkë së bashku. Një gjest i tillë mund të sjellë lumturi dhe drejtësi në një vend apo në gjithë botën në emër të Ramazanit”.

Partia AK në pushtet e trumpeton me krenari begatinë ekonomike por sukesi i deritanishëm ka sjellë një hendek në rritje mes të varfërve dhe të pasurve dhe mbyllja e këtij hendeku do të jetë sfidë madhore për autoritetet turke.

XS
SM
MD
LG