Lidhje

Muzika bluz në deltën e lumit Misisipi


Muzika bluz në deltën e lumit Misisipi
Muzika bluz në deltën e lumit Misisipi

Muzika bluz i ka rrënjët e saj në Amerikë, e kryesisht në rajonet e deltës së Lumit Misisipi. Kjo lloj muzike mbetet ende e gjallë tani për tani, ndërkohë që zhvillohen shumë festivale të muzikës bluz dhe një muze ndodhet pikërisht në rajonin ku lindi kjo rrymë muzikore. Megjithatë, shumë prej yjeve të muzikës bluz në rajonin e gjirit të Misisipit janë në moshën 80 apo 90 vjeçare. Dhe ata që e duan këtë muzikë, kanë dëshirë t’ia mësojnë atë brezave të rinj.

Bill "Haulin Mad" Peri këndon muzikën bluz dhe ka jetuar një jetë të tërë me këtë lloj muzike. Ai nuk ka jetuar kurrë në kushte normale. Nuk ka mbaruar as shkollën e mesme. Por vështirësi të tilla në jetën e përditshme janë tema kryesore e muzikës bluz.

Megjithatë, Peri ka kënaqësi ta luajë muzikën bluz dhe t’ia mësojë atë brezit të ri.

Katër ditë në javë, Perry udhëton një orë e gjysëm për në Muzeun e Bluzit. Kjo nuk është si një klasë normale në shkollë, por si një seancë e zhurmshme. Ai jep mësim muzike, me sjelljen e një muzikanti të vërtetë.

Dy nga nxënësit e tij më të mirë janë Kylen dhe Kejdrous Tomas. Ai i quan ata “Vëllezërit Bluz”

"Dua të jem si ai, të kompozoj muzikë dhe të udhëtoj në të gjithë botën për të bërë muzikë kudo."

11-vjeçari Kriston Ingram filloi t’i binte kontrabasit para një viti. Ai dëshiron të bëhet muzikant i famshëm bluzi.

"Dua të bëhem producent muzike, kompozitor, muzikant, dhe shumë gjëra të tjera."

"Nuk më habit fare që ai praktikon gjithë ditën. Unë i kam thënë se nëse do të shkëlqesh në këtë fushë, duhet të praktikosh shumë,” thotë Bill "Haulin Mad" Peri.

Ai u mëson fëmijëve se çfarë duhet të bëjnë në disa mënyra që nuk kanë të bëjnë vetëm me muzikën.

"Në fund të fundit, unë dua që ata të marrin diçka që do t’u vlejë."

Muzika bluz tërheq mijëra njerëz këtu në Misisipi. Këta njerëz janë kryesisht Afrikano-Amerikanë, më të vjetër në moshë, ashtu sikurse edhe njerëzit që e krijuan bluzin.

David "Hani Boj" Eduards është 95 vjeç. Ai e ka njohur legjendën e bluzit Robert Johnson – për të cilin thuhet se ia fali shpirtin djallit, tamam këtu, në udhëkryqin e rrugëve 49 dhe 61. Në këmbim, thuhet se Johnson u bë mjeshtër i kitarrës së bluzit.

Në fillimet e bluzit, afrikano-amerikanët këndonin dhe kërcenin në klube të vogla. Tekstet e muzikës bluz kujtojnë vështirësitë e zezakëve në jug të vendit. Formati i muzikës u jep muzikantëve mundësinë të improvizojnë, një liri që krijuesit e parë të kësaj muzike nuk e gëzonin në jetën e përditshme.

Babai i muzikës bluz W.C. Handy, e mori frymëzimin ndërsa priste trenin në Tutwiler, Misisippi. Tingulli u kthye në një teknikë të veçantë në kitarrë.

Sonte, grupi i Bill Perit këndon me disa muzikantë të ftuar. Dhe ai shpreson se një ditë këta të rinj do të jenë e ardhmja e muzikës bluz.

XS
SM
MD
LG