Lidhje

Marrëdhëniet amerikano-kineze gjatë vitit 2010


Marrëdhëniet amerikano-kineze gjatë vitit 2010
Marrëdhëniet amerikano-kineze gjatë vitit 2010

Marrëdhëniet amerikano-kineze u përballen me një gamë të gjerë sfidash gjatë vitit 2010 ndërkohë që lidhjet mes dy ekonomive më të mëdha të botës u vunë në provë më shumë se kurrë më parë. Materiali në vazhdim mundohet të shpjegojë se si manaxhimi i një prej marrëdhënieve më të rëndësishme në botë mes dy vendeve po bëhet gjithnjë e më i vështirë dhe përse analistët besojnë se kjo prirje duket se do të vazhdojë e tillë.

2010 filloi me Pekinin që ndërpreu marrëdhëniet ushtarake me Washingtonin dhe me njoftimin e kompanisë Google se ishte shënjestër e një prej sulmeve më të sofistikuara kibernetike me origjinë në Kinë.

Në shkurt, presidenti Obama u takua me Dalai Lama, megjithë kundërshtimet e forta nga Pekini, duke ngritur shqetësimin nëse presidenti kinez Hu Jintaoi do të merrte pjesë në takimin e shumëpritur të zotit Obama mbi Sigurinë Bërthamore në prill. Përfundimisht, ai mori pjesë.

Ja se si Cheng Li në Insitutin Brooking i përshkruan marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Është një paradoks shprese dhe frike; është paradoks i përparimit dhe problemeve të shumta, paradoks i besimit dhe fatkeqësisë së mundshme.”

Të dy vendet bashkëpunuan gjatë vitit për energjinë alternative por u përplasën rreth vlerës së monedhës kineze dhe mosmarrëveshje të tjera tregtare.

Bonnie Glaser është me grupin kërkimor CSIS në Washington.

"Mendoj se të dy palët e kanë kuptuar se është mjaft e vështirë të menaxhojnë marrëdhëniet dhe të mbajnë një ton pozitiv. Po ashtu vizita e zotit Hu Jintao në janar i shton sfidat për të dy vendet."

Deti i Kinës Jugore, zonë që Kina pretendon se e ka të sajën, u bë një tjetër pikë konfrontimi. Washingtoni ofroi të negocionte mes Kinës dhe fqinjëve të Azisë Juglinore, ofertë kjo e cila u hodh poshtë me zemërim nga Kina.

Një muaj më pas, Pekini njoftoi se kishte dërguar një nëndetëse me ekuipazh në fund të Detit të Kinës Jugore, duke u rradhitur mes pak vendeve që futen në thellësi kaq të mëdha.

Pamjet filmike të udhëtimit u shfaqën në televizionin shtetëror. Analistja Glaser thotë se synimi ishte të tregohej statusi i fuqisë kineze.

"Fakti që Kina ka aftësi të bëjë këtë i sinjalizon fqinjët se Pekini është më i avancuar se sa të tjerët dhe se kjo pabarazi fuqie duhet marrë në konsiderata nga vendet e tjera kur të bisedohet me Kinën rreth këtyre çështjeve."

Kina është virtualisht e paprekur nga kriza financiare globale dhe po bëhet gjithnjë e më e sigurtë në arenën ndërkombëtare.

Cheng Li me Insitutin Brookings thotë se Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë në kurs të rrezikshëm ndërkohë që shtohen shqetësimet në të dy anët rreth kërcënimeve që dy vendet përbëjnë për njëri tjetrin.

"Kur mendon se kërcënimi i Kinës është real atëherë ai bëhet i vërtetë. Në të njëjtënkohë, në se mendon se politika amerikane është kundër Kinës, se kërkon të frenojë Kinën, herët a vonë do të kërkosh ta realizosh këtë. Kjo do të bëhet realitet dhe përbën rrezik."

Zoti Li thotë se udhëheqësit në të dy vendet duhet të përballen me forcimin e Kinës. Ai paralajmëron se nëse vazhdojnë keqkuptimet, situata mund të përkeqësohet. Analistët thonë se me rritjen e influencës globale të Kinës, rriten edhe përgjegjësitë e saj ndërkombëtare. Sophie Richardson është me Human Rights Watch.

"Përparimet që kemi vënë re në infrastrukturën kineze, ekonominë dhe deri diku edhe lirinë shoqërore, të gjitha këto janë të mrekullueshme dhe tregojnë një zgjedhje të qartë të qeverisë kineze. Por nuk ka patur rritje të barabartë në të drejtat themelore civile dhe politike dhe po ashtu kjo është një zgjedhje e qartë."

Ndërkohë që Kina forcohet, po ashtu shtohet edhe pritshmëria për të si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Analistët thonë se Kina ka në dorë t’i plotësojë këto pritshmëri ose të mos i marrë parasysh.

XS
SM
MD
LG