Lidhje

Klinton: Pa reforma, Bosnja do të mbetet pas në integrimin evropian


Klinton: Pa reforma, Bosnja do të mbetet pas në integrimin evropian
Klinton: Pa reforma, Bosnja do të mbetet pas në integrimin evropian

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton i bëri thirrje Bosnje Hercegovinës të reformojë strukturën e saj politike komplekse, ndryshe do të rrezikojë të mbetet pas fqinjëve të saj gjatë integrimit në Evropë.

Zonja Klinton i bëri komentet sot para disa studentëve universitarë në kryeqytetin Sarajevë, në fillim të turneut të saj të parë në Ballkan që kur mori postin.

Sekretarja Klinton mbajti një fjalim pas takimit me presidencën kolektive të Bosnjës, anëtarët e së cilët përfaqësojnë komunitetet kroate, myslimane dhe serbe të vendit.

Kryediplomatja amerikane u tha studentëve se po u bën thirrje udhëheqësve të Bosnjës të miratojnë reformat që do të përmirësojnë shërbime kyçe, do të tërheqin më shumë investime dhe do ta bëjnë qeverinë më funksionale dhe më të përgjegjshme.

Zonja Klinton tha se reformat janë të nevojshme për Bosnjën vetë, por edhe për aspiratat e saj për t’u anëtarësuar në BE dhe NATO.

Ajo tha se fqinjët e Bosnjës kanë ecur përpara me reforma sepse e dinë se integrimi në Evropë është mënyra më e mirë për të arritur zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin politik.

--------

Shumë analistë i shikojnë rezultatet e zgjedhjeve si zgjidhje për ngecjen politike në Bosnje-Hercegovinë. Por zyrtarë të lartë amerikanë thonë se ka patur një mbështetje shumë të madhe për kandidatët që janë përpjekur t’i kapërcejnë linjat etnike dhe se sekretarja Klinton do t’i këshillojë udhëheqësit e vendit ta shfrytëzojnë këtë mundësi të zgjedhjeve për të ecur përpara me reformat.

Bosnja doli nga lufta civile tri vjeçare në vitin 1995 me një marrëveshje paqeje që hodhi bazat e ndarjes së pushtetit mes federatës myslimano-kroate dhe një republike autonome të etnisë serbe. Bashkërendimet e pas luftës kanë qënë disi të vështira dhe u kanë lejuar palëve që t’i vënë veton reformave për një qeveri më të fortë dhe për një shtet më funksional.

Zonja Klinton ndodhet në Bosnje për vizitën e parë të një sekretari amerikan shteti që nga viti 2004. Ajo do të takohet me presidencën tri-anëtarëshe dhe me figura të tjera politike të vendit për t’ua bërë të qartë se ndryshimet kushtetuese dhe reforma të tjera janë të nevojshme për anëtarësimin e në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, Filip Gordon, i cili foli me gazetarët gjatë udhëtimit për në Sarajevë, tha se vizita e zonjës Klinton, pak ditë pas zgjedhjeve, bëhet në një moment të rëndësishëm.

"Tani ekziston një mundësi reale dhe për mendimin tim, Bashkimi Evropian ia ka bërë të qartë Bosnjes, po ashtu edhe ne dhe vetë aleanca e NATO-s se çfarë reformash janë të nevojshme. Sekretarja Klinton po shkon në Sarajevë, pjesërisht për të theksuar këtë mesazh dhe për ta bërë të qartë se nëse Bosnja do të ecë në atë drejtim, janë pikërisht ato reforma që ajo duhet të kryejë”.

Sekretarja Klinton do të shkojë nga Sarajeva në Beograd sot për t’u takuar me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit për të kërkuar bashkëpunimin e Serbisë për reformat në Bosnje dhe për Kosovën që Beogradi nuk e ka njohur ende se shtet.


Ndihmës sekretari Gordon i bëri thirrje Serbisë të respektojë rezolutën e Kombeve të Bashkuara të muajit të kaluar për dialog paqësor mes Beogradit dhe Kosovës. Ai tha se Serbia duhet të ketë marrëdhënie me Kosovën, paravarësia e të cilës është njohur nga Shtetet e Bashkara dhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, si shtet i barabartë me të dhe të heqë dorë nga idea për ta rimarrë atë.

"Ne besojmë se kjo çështje as që mund të diskutohet. Ne e kemi bërë plotësisht të qartë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, madje ne e dimë se ku është kufiri. Prandaj kjo nuk do të jetë pjesë e bisedimeve. Nëqoftëse Serbia do të vazhdojnë në rrugën drejt anëtarësimit në Evropë dhe të bëhet një shtet i qendrueshëm, i begatë dhe demokratik ashtu siç e duam ne dhe besojmë se ashtu e duan edhe vetë serbët, atëhere ata duhet të gjejnë një mënyrë se si të avancojnë për çësthjen e Kosovës”.


Të mërkurën, Sekretarja amerikane e Shtetit Klinton do të bëjë vizitën e parë në Kosovë të një sekretari shteti që nga shpallja e pavarësisë dy vjet më parë. Krahas takimeve me udhëheqjen e re politike të vendit në Prishtinë, aji do të vizitojë edhe qytetin e Graçanicës, të banuar kryesisht nga serbët, për t’u takuar me udhëheqësit politikë vendas dhe me udhëheqësit e kishën ortodokëse serbe, të cilëve do t’u shprehë mbështetjen amerikanë për të drejtat e pakicave.

XS
SM
MD
LG