Rrëzimi i të gjitha akuzave përveç njërës nga një gjykatë civile ndaj një të dyshuari për terrorizëm, po ngjall një debat të ri duke ngritur pyetjen nëse gjyqe të tilla duhet të bëhen nga gjykata civile apo ushtarake. Në vijim, një analizë e këtij vendimi në gjyqin e Ahmed Ghailanit.
Ai është i pari i dyshuar për terrorizëm që ishte mbajtur në qendrën e ndalimit në Gjirin e Guantanamos, që gjykohet në një gjykatë civile dhe jo ushtarake. Kjo gjykatë e dënoi tanzaniani Ahmed Ghailani për vetëm një nga 280 akuzat e lidhura me bombardimet e në ambasadat amerikane në Tanzani dhe Kenia në vitin 1998.
Shpallja fajtor për konspiracion për Ghailanin parashikon një dënim prej 20 vjetësh në burg deri në burgim të përjetshëm. Por akuza për vrasje dhe akuza të tjera u hodhën poshtë. 224 vetë, përfshirë 12 amerikanë humbën jetën nga shpërthimet. Ky rast ka ngjallur debate të nxehta në Shtetet e Bashkuara lidhur me mënyrën sesi duhen gjykuar të dyshuarit për terrorizëm. Ndryshe nga vitet e mëparshme, administrata e Presidentit Obama kishte nxitur gjykimin në gjykatat civile. Tom Malinovski i Human Rights Watch thotë sistemi funksionoi.
“Kjo tregon se gjykatat amerikane dhe juritë amerikane janë të pavarura, të matura dhe e marrin përgjegjësinë e tyre shumë seriozisht”.
“Mendoj se gjykatat ushtarake janë më të përshtatshme për gjyqet sepse garantojnë për Shtetet e Bashkuara sigurinë kombëtare të nevojshme, ndërkohë që të ndaluarit vazhdojnë të gjykohen me një sistem ku disa të drejta themelore respektohen, njëlloj siç do të bëhej edhe në territorin e Shteteve të Bashkuara,” thotë Elizabeth Samson e Institutit Hudson.
Njujorkezët të intervistuar pranë vendit ku ndodhën sulmet e 11 shtatorit, kishin mendime të ndryshme.
“Unë u befasova nga vendimi, duke pasur parasysh se çfarë ndodhi më 11 shtator. Mendoja se ai do të shpallej fajtor për më shumë akuza,” thotë një grua.
“Gjyqi ishte i drejtë dhe ai u gjend fajtor për një akuzë. Unë kam besim të madh në sistemin penal të drejtësisë në Shtetet e Bashkuara,” thotë ky banor i Nju Jorkut.
“Nëse kjo është akuza e vetme e cila është e provuar dhe ata e çojnë deri në fund, është më mirë se asgjë. Por është disi zhgënjyese”.
Një humbje për organin e akuzës, ishte kur gjykata nuk lejoi një dëshmitar kyç të fliste. Gjykatësi arriti në përfundimin se gjykata e kishte identifikuar dëshmitarin, pas praktikave të ashpra ndaj Ghailanit në Gjirin e Guantanamos. Ja ç’thotë Malinovski i Human Rights Watch.
“Gjykata ushtarake do të arrinte të njëjtin përfundim sepse komisionet ushtarake janë reformuar nga Kongresi dhe administrata e Presidentit Obama në mënyrë të tillë që ndalon absolutisht përdorimin e çdo informacioni të marrë përmes torturave ose mizorisë”.
Senatori i pavarur Xho Liberman i tha radios së Zërit të Amerikës se rrëzimi i akuzave do të vonojë planet e Presidentit Obama për të mbyllur bazën e Guantanamos.
Kongresmeni Xhon Bejnër që do të jetë kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve i bëri thirrje Presidentit Obama ta ndryshojë politikën dhe t’i gjykojë të dyshuarit në gjykata ushtarake në të ardhmen.
Ghailani është personi i pestë i shpallur fajtor për bombat në ambasada. Katër të tjerët që nuk janë mbajtur kurrë në Guantanamo, janë dënuar me burgim të përjetshëm.