Lidhje

Media amerikane: SHBA, vërejtje Kinës për respektimin e sanksioneve kundër Iranit


Media amerikane: SHBA, vërejtje Kinës për respektimin e sanksioneve kundër Iranit
Media amerikane: SHBA, vërejtje Kinës për respektimin e sanksioneve kundër Iranit

Gazeta “The Washington Post” njoftoi se administrata Obama i ka dhënë Kinës një listë me kompani dhe banka të rëndësishme që ajo beson se po e ndihmojnë Iranin të përmirësojë teknologjinë e raketave dhe programet e armëve bërthamore. Ky zhvillim pason vendimin e javës së kaluar të një kompanie nafte të mbështetur nga qeveria japoneze për t’u tërhequr nga një projekt iranian për fushat e naftës:

Sipas gazetës, SHBA dyshojnë se disa kompani dhe institucione huadhënëse kineze, po i shkelin sanksionet e OKB-së ndaj Iranit. Një zyrtar amerikan anonim i tha gazetës se Robert Einhorn, këshilltari i posaçëm i Departamentit të Shtetit për kontrollin dhe mospërhapjen e armëve bërthamore, ua dorëzoi listën zyrtarëve kinezë gjatë një vizite muajin e kaluar në Pekin. Ai thotë se zbulimi amerikan beson se kompanitë dhe bankat kineze janë përfshirë në teknologji të kufizuar ndaj Iranit, kryesisht për programin e tij të raketave.

Sipas gazetës, një tjetër zyrtar amerikan anonim, tha se kompanitë kineze u zbulua se i shisnin Iranit material që mund të përdoret për ndërtimin e centrifugave më të mira, të cilat pasurojnë edhe uranium, një proces që mund të përdoret në ndërtimin e armëve bërthamore.

Raporti doli pasi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit P.J. Kroli vlerësoi vendimin e Korporatës Inpex me qendër në Japoni, për t’u tërhequr nga një projekt në një fushë nafte në Iran.

“Vendimet e kompanisë merren në kuadrin e një konsensusi të ri dhe të fuqishëm, jo vetëm me përfshirjen e qeverive, por edhe të sektorit privat dhe janë bashkuar për t’i dërguar një sinjal të fuqishëm dhe të përbashkët Iranit, se duhet t’i plotësojë detyrimet ndërkombëtare dhe të fillojë të angazhohet me seriozitet për programin e vet bërthamor. Vendimi i Korporatës Inpex është në përputhje me masat e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1929 dhe të sanksioneve të kohëve të fundit të qeverisë japoneze ndaj Iranit, të cilat, siç thanë muajin e kaluar edhe Sekretarja e Shtetit Clinton dhe Sekretari i Thesarit Gajtner, shënojnë një hap të rëndësishëm përpara në përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të mos lejuar përhapjen e armëve dhe për ta ndaluar Iranin të prodhojë armë bërthamore”.

SHBA bënë të njohur më 30 shtator se 4 kompani evropiane, ENI, State Oil, Shell dhe Total, ishin tërhequr nga Irani. Zoti Crowley tha se ky është një tregues se sanksionet janë duke patur një ndikim të madh tek Irani. Ai tha se administrata Obama vazhdon të ndjekë të ashtuquajturën strategji të dyfishtë të angazhimit dhe presionit për zgjidhjen e shqetësimeve globale lidhur me programin bërthamor të Iranit.

Robert Dujarric, Drejtor në Institutin e Studimeve Aziatike në Universitetin Temple të Tokios, thotë se vendimi i Kompanisë Inpex nuk e çudit aspak.

“Qeveria japoneze e kuptoi se nuk kishte zgjedhje tjetër, por t’i përgjigjej një kërkese të SHBA kur është fjala për Iranin”.

Dujarric e sheh këtë si një lëshim të madh nga Japonia, duke patur parasysh mbështetjen e saj të madhe tek burimet e huaja të naftës për konsum të brendshëm. Ai thotë po ashtu se Kompania Inpex nuk ka patur të bëjë fare me programet bërthamore dhe teknologjinë e raketave të Iranit.

XS
SM
MD
LG