Lidhje

Vazhdon në tregun amerikan hendeku mes pagave të burrave dhe grave


Vazhdon në tregun amerikan hendeku mes pagave të burrave dhe grave
Vazhdon në tregun amerikan hendeku mes pagave të burrave dhe grave

Megjithë një farë përparimi dhe rritjen e nivelit të të ardhurave gjatë 2 viteve të fundit, gratë në Shtetet e Bashkuara ende fitojnë më pak pará se burrat. Ky është përfundimi i një studimi të Zyrës së Qeverisë Federale për Përgjegjshmërinë. Javën e kaluar kjo zyrë i paraqiti Dhomës së Përfaqësuesve një raport, ku thuhet se hendeku mes pagës së burrave dhe atyre të grave në Shtetet e Bashkuara nuk është mbyllur ende. Këto përfundime kanë tërhequr vëmendjen e politikanëve dhe medias. Si rezultat, së shpejti në Senat do të paraqitet një projekt-ligj që rrit presionin ndaj punë-dhënësve për të eliminuar diskriminimin gjinor.

Studimi analizoi të ardhurat e menaxherëve burra dhe gra gjatë vitit 2007. Në analizën përfundimtare, rroga e grave ishte 81 për qind e vlerës së rrogës së burrave. Studimi tregonte gjithashtu se megjithëse gratë përfaqësojnë 40 për qind të menaxherëve në të gjitha nivelet, atë përfaqësojnë vetëm 3 për qind të Shefave Ekzekutivë. Këto shifra tregojnë vetëm një përmirësim të vogël të gjendjes nga viti 2000.

“Gratë kanë mbetur në vend-numëro. Megjithë përpjekjet që vazhdojnë prej dekadash për t’u hapur mundësi për përparim, vazhdon pabarazia,” shprehet një analiste e tregut.

Në të kaluarën një shpjegim i zakonshëm për hendekun mes pagave ishte se gratë nuk kishin të njëjtin nivel arsimi si burrat. Megjithatë, gratë vitin e kaluar morën 58 për qind të të gjitha diplomave universitare dhe pasuniversitare dhe për herë të parë në historinë amerikane morën pjesën më të madhe të doktoraturave. Ligjvënësja Karolinë Maloni shpreh pakënaqësi për gjendjen:

“Megjithëse ka një zhvillim pozitiv nga numri i diplomave që po marrin gratë, nuk kemi arritur të mbyllim hendekun mes pagave”.

Ka të tjerë që mendojnë se ende vazhdon diskriminimi gjinor në vendin e punës. Elen Galinski është Presidente e Institutit për Familjen dhe Punën:

“Paragjykimet që ekzistojnë bazohen në ide që i përkasin së kaluarës, një ekonomie tjetër, një jete familjare tjetër që sot nuk ekziston më”.

Disa thonë se gjendja është rezultat i natyrës modeste të grave dhe faktit që ato nuk negociojnë për pagën ashtu sikurse burrat. Studimi i Zyrës së Qeverisë për Përgjegjshmërinë tregon se femrat që janë diplomuar në degën e Administrim-Biznesit në vitin e parë pas shkollës marrin 4,600 dollarë më pak se burrat me të njëjtin arsim dhe përvojë profesionale. Një rrjet televiziv zhvilloi eksperimentin e tij lidhur me intervistën për punë.

Gjysma e meshkujve në eksperiment kërkuan pagën maksimale. Por vetëm një e treta e grave paraqitën këtë kërkesë.

Në dallim nga prirja e përgjithshme, gratë e pamartuara, pa fëmijë nga mosha 22-30 vjeç që jetojnë në zona të mëdha urbane, marrin 8 për qind më shumë se burrat në të njëjtën kategori. Gratë afrikano-amerikane dhe latine marrin edhe më tepër se meshkujt e së njëjtës kategori. Këto përfundime që paraqet firma Reach Advisers që analizon tregun konsumator, u publikuan në fillim të vitit.

Por për gratë e martuara me fëmijë, vazhdon ende hendeku tradicional. Studimi i Zyrës së Qeverisë Federale për Përgjegjshmërinë tregon se gratë menaxhere me fëmijë marrin vetëm 79 për qind të vlerës së pagës që marrin menaxherët meshkuj me fëmijë. Është hedhur si shpjegim ideja se gratë mund të mos jenë shumë të prirura për ngritje në karrierë, nëse kjo kërkon më shumë orë pune apo udhëtime biznesi.

Sipas një ankete të kohëve të fundit, disa kompani si IBM, PriceWaterHouseCopper apo Bank of America e kanë kuptuar se çfarë dëshirojnë gratë. Nuk është thjesht pagë e barabartë për punë të barabartë, por edhe një jetë më e balancuar – mundësia për të ndryshuar orarin e punës bazuar në nevojat e familjes, mundësia për të punuar nga shtëpia, si dhe çerdhe apo kopshte cilësore për fëmijët në vendin e punës. Këto kompani u ofrojnë avantazhe të tilla edhe burrave.

Në ekonominë moderne, ku gratë përfaqësojnë gjysmën e krahut të punës, ekspertët thonë se drejtësia në pagesë është e rëndësishme për mirëqënien e familjes për një numër arsyesh: gratë kanë më shumë gjasa se sa burrat të punojnë në sektorë që nuk preken nga recesioni. Burrat punojnë në sektorë që goditen rëndë kur bie ekonomia, si për shembull në ndërtim. Gratë gjithashtu marrin më shumë vendime për shpenzimet në familje.

Përveç kësaj shumë studime kanë treguar se kompanitë ku gratë përfaqësohen më mirë në nivele të larta kanë rezultate më të mira se kompanitë që nuk kanë shumë gra në këto poste. Një ndër këto kompani është Campbell Soup, e cila kohët e fundit emëroi në postin e Presidentes, zonjën Denis Morrison.

XS
SM
MD
LG