Senatori Xhon Keri i ka bërë thirrje Turqisë dhe Izraelit të rivendosin lidhje më të forta pas sulmit vdekjeprurës ndaj flotiljes me ndihma për Gazën. Sulmi i muajit maj ka tensionuar marrëdhëniet.
Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë i bëri komentet sot në Ankara, ku po takohet me kryeministrin turk Reçep Tajip Erdogan dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë.
Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Izraelit u tensionuan pasi 8 aktivistë turq dhe një turko-amerikan u vranë kur forcat speciale izraelite sulmuan flotiljen e ndihmave të dërguara për në Gazë. Flotilja u organizua nga aktivistë pro-palestinezë, të cilët po përpiqeshin të thyenin bllokadën izraelite ndaj Gazës.
Turqia ka kërkuar që Izraeli të kërkojë ndjesë për incidentin, por Izraeli thotë se forcat e tij vepruan në vetëmbrojtje. Në tetor, kryeministri Benjamin Netanjahu i lavdëroi forcat speciale që morën pjesë në operacion, duke thënë se vepruan në mënyrë heroike dhe etike.
Senatori Xhon Keri po zhvillon një turne në rajon. Dje ai zhvilloi bisedime me kryeministrin libanez Saad Hariri.